Qytetarët që shesin një apartament apo shtëpi dhe depozitojnë paratë në bankë do të mund të përfitojnë një mbrojtje të veçantë për këto fonde, përtej kufirit standard të sigurimit të depozitave.
Projektligji i ri për sigurimin e depozitave, i depozituar në Kuvend, parashikon për herë të parë një mekanizëm shtesë kompensimi për individët që disponojnë përkohësisht shuma të konsiderueshme parash në llogaritë bankare.
Duke filluar nga 1 korriku 2027, krahas kufirit standard të sigurimit të depozitave, që propozohet të rritet në 6 milionë lekë, qytetarët do të mund të përfitojnë mbulim shtesë deri në 15 milionë lekë, duke e çuar shumën maksimale të garantuar në 21 milionë lekë për çdo depozitues në një bankë.
Mbrojtja e posaçme do të përfshijë jo vetëm paratë e përfituara nga shitja e banesave, por edhe fondet e depozituara në bankë për blerjen e një pasurie të paluajtshme për banim.
Sigurimi shtesë do të jetë i vlefshëm për një periudhë gjashtëmujore nga momenti i kreditimit të shumës në llogari ose nga momenti kur fondet bëhen ligjërisht të transferueshme.
Për të përfituar kompensimin në rast falimentimi të bankës, qytetarët duhet të paraqesin dokumentacionin që vërteton kryerjen e transaksionit të shitblerjes së pronës ose se ai pritej të realizohej brenda një afati të shkurtër.
Mbrojtje të ngjashme do të përfitojnë edhe individët që marrin shuma parash nga trashëgimitë, përfitimet e lidhura me daljen në pension, divorcin, largimin nga puna, pagesat nga kompanitë e sigurimeve apo dëmshpërblimet për dënime të padrejta penale.
Me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, niveli standard i sigurimit të depozitave parashikohet të rritet në 100 mijë euro, ndërsa mbulimi shtesë për këto kategori fondesh do të arrijë në 500 mijë euro.
Në këtë mënyrë, në rrethana të veçanta dhe për një periudhë të kufizuar, qytetarët do të mund të përfitojnë mbrojtje për depozitat bankare deri në 600 mijë euro. /skyweb.al















