Projekti, që do të zbatohet nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), mbështetet nga financimi shtesë i Bankës Botërore në kuadër të programit GovTech, miratuar në mars të vitit 2025.
Dokumentet e Bankës Botërore të analizuara nga Skyweb.al tregojnë se 19,75 milionë euro të këtij financimi lidhen me realizimin e sistemit të ri të prokurimeve publike, ku një rol të rëndësishëm pritet të marrë inteligjenca artificiale.
Sipas skemës së financimit, 6,45 milionë euro lidhen me miratimin e specifikimeve teknike dhe nënshkrimin e kontratës për ndërtimin e platformës, 7,6 milionë euro me testimin dhe vënien e saj në funksion, ndërsa 5,7 milionë euro me përdorimin e inteligjencës artificiale në faza të caktuara të prokurimeve.
Sistemi i ri parashikohet të automatizojë një pjesë të konsiderueshme të punës që kryhet sot nga administrata, duke nisur nga analiza e tregut, përllogaritja e fondit limit dhe hartimi i specifikimeve teknike, deri te verifikimi i përmbushjes së kritereve të kualifikimit nga kompanitë pjesëmarrëse në tenderë.
Platforma do të ndërlidhet me regjistrat e tatimeve, Qendrës Kombëtare të Biznesit, Thesarit dhe institucioneve të tjera shtetërore, duke mundësuar marrjen automatike të dokumentacionit të kompanive.
Në projekt parashikohet gjithashtu pezullimi automatik i procedurave kur depozitohen ankesa, monitorimi i zbatimit të kontratave publike dhe sinjalizimi i tenderëve ku evidentohen indicie për parregullsi apo korrupsion.
Dokumentacioni i Bankës Botërore përcakton se përdorimi i inteligjencës artificiale në prokurimet publike do të bëhet nën mbikëqyrjen njerëzore.
Gjatë prezantimit të modelit të ri të prokurimeve, më 17 nëntor, kryeministri Edi Rama deklaroi se Diella do të ketë akses në mbi 40 regjistra publikë, duke krijuar një dosje virtuale për secilin biznes që konkurron për kontrata publike.
Pjesa më e madhe e financimit prej 76,9 milionë eurosh, rreth 45,35 milionë euro, lidhet ndërkohë me digjitalizimin e shërbimeve të bashkive, modernizimin e infrastrukturës teknologjike të tyre dhe integrimin e shërbimeve vendore në platformën e-Albania. /skyweb.al















