Prindërit duhet t’i përgatisin fëmijët jo për një profesion të caktuar, por për një të ardhme të pasigurt, ku inteligjenca artificiale mund të ndryshojë rrënjësisht tregun e punës. Ky është mesazhi i Daniel Susskind, profesor i biznesit në Gresham College në Londër, në librin e tij të ri “What Should My Children Do? A Human’s Guide to the Age of AI”.
Sipas Susskind, shumë drejtues të industrisë së teknologjisë parashikojnë se brenda dekadës së ardhshme inteligjenca artificiale mund t’i tejkalojë njerëzit në pothuajse çdo aktivitet me vlerë ekonomike.
Eksperti thekson se, pavarësisht se si do të zhvillohet teknologjia, fëmijët e sotëm do të jetojnë në një botë gjithnjë e më të ndikuar nga inteligjenca artificiale.
Ai paralajmëron se përpjekja për t’u mësuar fëmijëve aftësi që konsiderohen të vlefshme përgjithmonë mund të mos jetë zgjidhja e duhur. Si shembull, ai përmend vendimin e Anglisë në vitin 2013 për të futur programimin në shkolla, me synimin për t’i pajisur brezat e rinj me aftësi teknologjike për të ardhmen.
Megjithatë, zhvillimi i mjeteve si ChatGPT tregoi se edhe programimi mund të automatizohet në një masë të konsiderueshme, duke vënë në pikëpyetje idenë se ekzistojnë profesione apo aftësi plotësisht të sigurta nga ndryshimet teknologjike.
Për këtë arsye, Susskind këshillon që edukimi i fëmijëve të përqendrohet te bazat: leximi, shkrimi, matematika dhe mendimi kritik. Sipas tij, këto aftësi janë thelbësore për të kuptuar informacionin, për të analizuar situatat dhe për të marrë vendime në një botë që ndryshon vazhdimisht.
Një tjetër element i rëndësishëm, sipas ekspertit, është t’u mësohet fëmijëve edhe kur duhet të shkëputen nga inteligjenca artificiale dhe teknologjia.
Ai thekson se teknologjitë moderne janë projektuar në mënyrë të tillë që të tërheqin dhe të mbajnë vazhdimisht vëmendjen e përdoruesve, duke krijuar rrezikun e shpërqendrimit.
Mesazhi i tij për prindërit është se përgatitja për të ardhmen nuk duhet të nënkuptojë vetëm mësimin e teknologjisë, por edhe zhvillimin e aftësive njerëzore, mendimit të pavarur dhe aftësisë për të përdorur teknologjinë pa u bërë të varur prej saj. /skyweb.al
















