Vendet europiane po investojnë gjithnjë e më shumë në inteligjencën artificiale, kartelat elektronike shëndetësore dhe shërbimet mjekësore online. Megjithatë, përdorimi i këtyre teknologjive nga pacientët mbetet i pabarabartë.
Një raport i ri i Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) dhe Komisionit Europian evidenton një hendek mes ofrimit të shërbimeve shëndetësore digjitale dhe përdorimit të tyre real nga qytetarët.
“Për inteligjencën artificiale dhe digjitalizimin e shëndetësisë po flasin të gjithë, por këto zhvillime nuk po arrijnë te të gjithë”, deklaroi Sandra Gallina, drejtoreshë e përgjithshme e DG SANTE në Komisionin Europian.
Investime të mëdha, zbatim i pabarabartë
Bashkimi Europian ka vënë në dispozicion të paktën 16 miliardë euro për digjitalizimin e shëndetësisë përmes fondeve të kohezionit dhe rimëkëmbjes. Ndërkohë, programi Digital Europe ka parashikuar gjatë vitit 2026 edhe 33.4 milionë euro për inteligjencën artificiale dhe shërbimet shëndetësore digjitale.
Mesatarisht, 14.7% e investimeve kapitale në sektorin shëndetësor në BE shkon për teknologjitë digjitale.
Holanda kryeson me 39.2%, e ndjekur nga Austria me 28.8% dhe Portugalia me 24.1%. Në fund renditen Letonia me 3.5%, Sllovakia me 4.4% dhe Luksemburgu me 6.7%.
Megjithatë, raporti thekson se investimet përqendrohen shpesh te ndërtimi i infrastrukturës dhe jo te përdorimi praktik i saj nga mjekët dhe pacientët.
Sipas Mark Pearson, zëvendësdrejtor në OECD, ndërtimi i infrastrukturës krijon mundësi, por organizimi dhe promovimi i shërbimeve përcaktojnë nëse qytetarët do t’i përdorin ato realisht.
Sfidë për Europën mbetet kthimi i investimeve teknologjike në përmirësim konkret të kujdesit shëndetësor, me shërbime më të aksesueshme dhe diagnostikim më të shpejtë për të gjithë pacientët. /skyweb.al
















