Burimet alternative të energjisë po zënë një vend gjithnjë e më të rëndësishëm në furnizimin me energji elektrike në Shqipëri, duke tejkaluar ndjeshëm prodhimin e hidrocentraleve private dhe koncesionare.
Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, gjatë periudhës korrik–shtator 2026, prodhuesit e energjisë së rinovueshme, jashtë hidrocentraleve, gjeneruan 500,8 milionë kilovatorë energji elektrike, kundrejt 311,4 milionë kilovatorëve në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar një rritje prej 60,8%.
Prodhimi nga këto burime ishte rreth 64% më i lartë se ai i të gjitha hidrocentraleve private dhe koncesionare në vend, të cilat gjatë të njëjtës periudhë gjeneruan 305,2 milionë kilovatorë energji.

Në total, burimet alternative siguruan 26,2% të prodhimit vendas të energjisë elektrike, ndërsa hidrocentralet private dhe koncesionare kontribuuan me 15,9%. Pjesa tjetër, prej 57,9%, u sigurua nga hidrocentralet publike.
Zgjerimi i prodhimit nga burimet alternative, ku përfshihen edhe impiantet fotovoltaike, përbën një zhvillim të rëndësishëm për diversifikimin e sektorit energjetik shqiptar, historikisht të varur nga hidrocentralet dhe kushtet hidrike.
Gjatë tremujorit të tretë, prodhimi total vendas i energjisë elektrike arriti në 1,91 miliardë kilovatorë, me një rritje prej 77,9% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Pavarësisht rritjes së ndjeshme të prodhimit vendas, Shqipëria mbeti importuese neto e energjisë elektrike, me një bilanc negativ të shkëmbimeve me jashtë prej 377 milionë kilovatorësh. /skyweb.al















