Familjet shqiptare kanë rritur ndjeshëm konsumin e energjisë elektrike gjatë muajve të verës, duke tejkaluar konsumin e bizneseve, institucioneve dhe sektorëve të tjerë të ekonomisë së bashku.
Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, gjatë periudhës korrik–shtator 2026, familjet konsumuan 993,7 milionë kilovatorë energji elektrike, me një rritje prej 18,3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndërkohë, konsumi i sektorit jofamiljar arriti në 948,8 milionë kilovatorë, me një rritje prej 10,4%.
Familjet gjeneruan rreth 63% të rritjes së konsumit final të energjisë elektrike në vend, i cili u zgjerua me 14,3% në raport me një vit më parë.
Rritja e kërkesës për energji është shoqëruar edhe me një rritje të ndjeshme të prodhimit vendas, i cili arriti në 1,91 miliardë kilovatorë, ose 77,9% më shumë se gjatë tremujorit të tretë të vitit 2025.
Prodhimi i hidrocentraleve publike u rrit me 89%, ai i hidrocentraleve private dhe koncesionare me 71,6%, ndërsa prodhimi nga burimet alternative u zgjerua me 60,8%.
Megjithatë, edhe me këtë rritje të fortë të prodhimit, Shqipëria nuk arriti të mbulonte të gjitha nevojat për energji nga burimet vendase, duke mbetur importuese neto.
Gjatë tre muajve, importet bruto të energjisë, përfshirë shkëmbimet, arritën në 997,7 milionë kilovatorë, ndërsa eksportet në 620,4 milionë kilovatorë, duke rezultuar në një bilanc negativ prej 377,3 milionë kilovatorësh.
Ndërkohë, humbjet në rrjetin elektrik u rritën me 7,7%, duke arritur në 348,3 milionë kilovatorë, ose 15,2% të të gjithë energjisë në dispozicion në vend. /skyweb.al















