E keni të vështirë të shkëputeni nga puna në fund të ditës, edhe kur jeni larg zyrës? Mund të jetë fjala për të ashtuquajturin “efekt Zeigarnik”, një fenomen psikologjik që shpjegon pse detyrat e papërfunduara vazhdojnë të na qëndrojnë në mendje, duke ndikuar në përqendrimin, pushimin dhe cilësinë e gjumit.
Ky fenomen u identifikua në vitin 1927 nga psikologia ruse Bluma Zeigarnik, e cila zbuloi se njerëzit kanë më shumë gjasa të kujtojnë detyrat që u ndërpriten pa i përfunduar, sesa ato që arrijnë t’i mbyllin.
Që prej asaj kohe, studime të ndryshme kanë shqyrtuar mënyrën se si detyrat e papërfunduara vazhdojnë të na mbajnë mendërisht të lidhur me punën. Sipas psikologëve, truri ynë kërkon një ndjesi përmbylljeje dhe, kur një detyrë mbetet pezull, vazhdon ta mbajë atë aktive në kujtesë.
Kjo mund të jetë e dobishme për të rifilluar punën më vonë, pasi informacioni mbetet i freskët. Megjithatë, kur detyrat e papërfunduara grumbullohen, ato mund të shkaktojnë stres, mendime të vazhdueshme për punën dhe çrregullime të gjumit.
Ekspertët sugjerojnë disa mënyra për të ndihmuar trurin të shkëputet nga angazhimet profesionale, shkruan BBC.
Planifikoni detyrat dhe vendosni objektiva ditore. Nuk është e nevojshme që çdo punë të përfundojë brenda ditës. Mjafton të përcaktoni qartë se çfarë duhet të bëni dhe si do ta përfundoni. Shënimi i detyrave dhe planifikimi i hapave të ardhshëm ndihmojnë në uljen e shqetësimit se mund të harroni diçka të rëndësishme.
Fikni njoftimet pas orarit të punës. Kontrollimi i vazhdueshëm i email-eve dhe mesazheve e mban mendjen të përqendruar te angazhimet profesionale edhe gjatë kohës së lirë. Kjo mund të krijojë konflikt mes jetës personale dhe asaj profesionale, duke e bërë më të vështirë pushimin.
Shmangni mbivendosjen e projekteve. Kalimi i vazhdueshëm nga një detyrë te tjetra rrit ngarkesën njohëse dhe lodhjen mendore. Për këtë arsye, kur është e mundur, ekspertët këshillojnë përfundimin e një detyre përpara se të nisni një tjetër.
Planifikoni punën përpara pushimeve. Nuk është e nevojshme të përfundoni çdo angazhim përpara se të largoheni me pushime. E rëndësishme është që detyrat e mbetura të jenë të organizuara dhe të keni një plan të qartë për rifillimin e tyre, në mënyrë që të mos shqetësoheni vazhdimisht gjatë periudhës së pushimit.
Krijoni rituale për të ndarë punën nga jeta personale. Një shëtitje pas përfundimit të orarit, ndryshimi i ambientit apo largimi i kompjuterit nga hapësira ku pushoni mund ta ndihmojnë trurin të kuptojë se dita e punës ka përfunduar.
Psikologët e lidhin këtë edhe me të ashtuquajturin “efekti i derës”, sipas të cilit kalimi fizik nga një ambient në tjetrin mund të ndihmojë në ndryshimin e fokusit mendor dhe në përgatitjen për një aktivitet të ri. Për të pushuar nuk duhet domosdoshmërisht të përfundojmë çdo detyrë. Mjafton të kemi një plan të qartë për atë që mbetet për t’u bërë, në mënyrë që mendja të mos vazhdojë të merret me punën edhe pasi orari ka përfunduar. /skyweb.al
















