Konsumimi i rregullt i birrës dhe pijeve të forta alkoolike lidhet me një rrezik ndjeshëm më të lartë për dëmtimin akut të veshkave, një gjendje serioze që mund të çojë në insuficiencë renale dhe pasoja të rënda për shëndetin. Ky është përfundimi i një studimi të ri britanik, i cili ka analizuar të dhënat e më shumë se 250 mijë personave për një periudhë rreth 14-vjeçare.
Studimi, i realizuar nga Universiteti Anglia Ruskin në Britaninë e Madhe dhe i publikuar në revistën shkencore Scientific Reports, ka zbuluar se rreziku ndryshon në varësi të llojit dhe sasisë së alkoolit të konsumuar.
Studiuesit analizuan të dhënat e 250.791 të rriturve të moshës 40–69 vjeç, pjesëmarrës në projektin UK Biobank. Gjatë periudhës së ndjekjes u identifikuan 10.335 raste të dëmtimit akut të veshkave.
Rezultatet treguan se personat që konsumonin mesatarisht 23,6 njësi britanike alkooli në formën e birrës në javë kishin një rrezik 14,8% më të lartë për dëmtim akut të veshkave, krahasuar me ata që konsumonin mesatarisht 2,67 njësi.
Një lidhje edhe më e fortë u evidentua te konsumatorët e pijeve të forta alkoolike, si vodka, uiski, raki dhe produkte të ngjashme.
Personat që konsumonin mesatarisht 8,73 njësi alkooli në javë nga pijet e forta rezultuan me një rrezik 25,5% më të lartë, krahasuar me ata që konsumonin rreth 1,22 njësi.
Madje, edhe në nivele më të ulëta konsumi, studiuesit evidentuan një rritje të rrezikut, duke sugjeruar një lidhje mes sasisë së alkoolit dhe dëmtimit të funksionit të veshkave.
Po vera, a paraqet të njëjtin rrezik?
Një nga gjetjet më interesante të studimit lidhet me dallimin mes birrës, pijeve të forta dhe verës.
Ndryshe nga dy kategoritë e para, studiuesit nuk identifikuan një lidhje statistikisht domethënëse mes konsumit të verës së kuqe apo të bardhë dhe rrezikut për dëmtim akut të veshkave në analizën kryesore.
Megjithatë, konsumimi mbi 14 njësi britanike alkooli në javë u shoqërua me rritje të rrezikut edhe te konsumatorët e verës.
Kjo do të thotë se rezultatet nuk e paraqesin verën si mbrojtëse për veshkat, por sugjerojnë se lloji i pijeve dhe mënyra e konsumimit mund të kenë rëndësi për rrezikun shëndetësor.
Pse alkooli mund të dëmtojë drejtpërdrejt veshkat?
Deri më tani, dëmtimi i veshkave nga alkooli është lidhur shpesh me sëmundjet e mëlçisë, të cilat mund të shkaktojnë probleme të qarkullimit të gjakut dhe të funksionimit të organeve.
Por studimi i ri sugjeron se birra dhe pijet e forta mund të ndikojnë edhe drejtpërdrejt në veshka, përmes proceseve inflamatore.
Studiuesit zbuluan se konsumimi i këtyre pijeve shoqërohej me rritje të disa treguesve të inflamacionit në organizëm, përfshirë proteinën C-reaktive dhe neutrofilet, të cilat lidheshin gjithashtu me rrezikun e dëmtimit akut të veshkave.
Autori kryesor i studimit, Rudolph Schutte, profesor i asociuar i epidemiologjisë kardiovaskulare në Universitetin Anglia Ruskin, shpjegon se rezultatet mbështesin hipotezën sipas së cilës alkooli mund të ndikojë drejtpërdrejt në funksionimin e veshkave, edhe në mungesë të sëmundjeve të mëlçisë.
Çfarë është dëmtimi akut i veshkave?
Dëmtimi akut i veshkave është një gjendje në të cilën organet humbasin papritur aftësinë për të filtruar mbetjet dhe lëngjet e tepërta nga gjaku.
Problemi mund të zhvillohet brenda disa orëve ose ditëve dhe, në rastet e rënda, të shkaktojë grumbullim të lëngjeve në mushkëri, çrregullime të elektroliteve, dobësi muskulore dhe dëmtime të përhershme të funksionit renal.
Simptomat mund të përfshijnë lodhje, të përziera, ënjtje të këmbëve, ulje të sasisë së urinës dhe, në rastet më të rënda, konfuzion apo humbje të vetëdijes.
Sipas studiuesve, rezultatet e analizës 14-vjeçare tregojnë rëndësinë e konsumit të alkoolit si një faktor që duhet marrë në konsideratë në vlerësimin e rrezikut për sëmundjet e veshkave. /skyweb.al















