Një zakon i hershëm i tryezës italiane, zhytja e një cope buke në salcën e mbetur në pjatë, dikur konsiderohej mungesë edukate në ambiente formale. Sot, ky ritual është kthyer në një mënyrë për të shprehur kënaqësinë ndaj ushqimit dhe për të mos shpërdoruar asgjë.
I njohur në Itali si “fare la scarpetta”, zakoni konsiston në përdorimin e bukës për të mbledhur salcën e mbetur nga makaronat, vajin dhe uthullën nga sallata apo lëngjet e tjera në pjatë.
Shprehja përkthehet fjalë për fjalë si “të bësh këpucën e vogël”, ndërsa origjina e saj mbetet e paqartë. Sipas historianit të gastronomisë italiane, Luca Cesari, një nga gjurmët më të hershme të shkruara të këtij rituali daton në vitin 1871, në një revistë në dialektin romak.
Një tjetër dëshmi gjendet në një fjalor të dialektit të Abrucos të vitit 1885, çka sugjeron se zakoni mund të ketë rrënjë në Italinë Qendrore.
Sipas Cesari, hipoteza më bindëse për emërtimin lidhet me një shprehje dialektore që nënkuptonte “të bësh një shëtitje të vogël”, sikur copa e bukës të shëtiste nëpër pjatë duke mbledhur salcën.
Nga mungesa e edukatës në shenjë vlerësimi për ushqimin
Për një kohë të gjatë, scarpetta nuk shihej njësoj në të gjitha rajonet e Italisë. Në qytete si Torino, në veri të vendit, konsiderohej e papërshtatshme në tryezat formale.
Shefja e kuzhinës Gaia Enria kujton se prindërit e qortonin kur përdorte bukën për të mbledhur salcën nga pjata.
Në jug, veçanërisht në Pulia, tradita kishte një kuptim pothuajse të kundërt. Sipas shefes Somaia Hammad, lënia e ushqimit në pjatë mund të konsiderohej mungesë respekti, ndërsa përfundimi i çdo kafshate me bukë shihej si shenjë mirënjohjeje ndaj ushqimit dhe kundërshtim ndaj shpërdorimit.
Megjithatë, dallimet nuk lidhen vetëm me gjeografinë, por edhe me klasën shoqërore. Sipas Cesari, etiketat tradicionale të shtresave borgjeze nuk e miratonin prekjen e ushqimit me duar, ndaj edhe përdorimi i bukës për të pastruar pjatën shihej si sjellje e pahijshme.
Rikthimi i traditës dhe respekti për ushqimin
Qëndrimi ndaj scarpetta-s filloi të ndryshonte më gjerësisht gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, kur Italia rizbuloi vlerat e cucina povera – kuzhinës tradicionale të shtresave të varfra, e mbështetur te përbërësit e thjeshtë dhe përdorimi i plotë i ushqimit.
Me kalimin e kohës, shmangia e shpërdorimit nisi të shihej si një vlerë më e rëndësishme sesa respektimi i rregullave të ngurta të etikës në tryezë.
Sot, në shumë familje italiane, scarpetta është një gjest spontan dhe pjesë e pandashme e përvojës së të ngrënit. Për italianët, nuk është thjesht një mënyrë për të mos lënë ushqim në pjatë, por edhe një kompliment për atë që është gatuar.
Në fund të fundit, kur salca është e mirë, pse duhet lënë qoftë edhe një pikë në pjatë?
/skyweb.al















