Ushqimi në zyrë mund të duket si një veprim i zakonshëm, por për shumë punonjës ai është kthyer në një burim tensioni mes kolegëve. Nga peshku i ngrohur në mikrovalë te sanduiçët me ton, vezët e ziera dhe ushqimet që lënë thërrime në tastierë, disa zakone të vogla mund të ndikojnë në marrëdhëniet në ambientin e punës.
Një prej shqetësimeve më të mëdha mbetet aroma e ushqimeve. Një nëpunëse civile, Sarah, thotë me humor se ngrohja e byrekut me peshk në mikrovalë është një shkelje e pashkruar e rregullave të zyrës. Ajo pranon se e ka bërë vetë këtë veprim në një vend të mëparshëm pune, duke ironizuar se kjo ishte edhe arsyeja pse u largua.
Edhe ushqimet që duken më të padëmshme mund të krijojnë probleme. Casey, krijues përmbajtjeje në një kompani energjetike, tregon se dikur konsumonte ton në tavolinën e punës, por tashmë ka ndryshuar zakon. Ndërkohë, gjevrekët me kanellë dhe sheqer që konsumon rregullisht kanë shkaktuar një tjetër shqetësim, pasi thërrimet përfundojnë në tastierën e laptopit.
Vezët e ziera janë një tjetër ushqim që ndan opinionet. Laura, e cila punon në sektorin financiar, tregon se kolegët e kanë ngacmuar për këtë zakon, por ajo mbron zgjedhjen e saj, duke theksuar se vezët janë të shëndetshme, të pasura me proteina dhe ekonomike.
Nga ana tjetër, Ashlea Fisher, drejtuese e një kompanie rekrutimi, tregon se është detyruar të ndërhyjë pasi aroma e peshkut të sjellë nga një punonjës ishte bërë aq e fortë, sa një kolege shtatzënë ndihej fizikisht keq.
Sipas saj, zgjidhja është komunikimi i hapur dhe i kujdesshëm, pa e vënë askënd në siklet. Ajo thekson se askush nuk duhet të gjykohet për ushqimin që konsumon, pasi duhen respektuar kulturat dhe nevojat e ndryshme ushqimore, por edhe të tregohet kujdes ndaj personave që ndajnë të njëjtin ambient.
A po marrin punonjësit pushimin e drekës?
Përveç debateve mbi ushqimet, një tjetër çështje është koha që punonjësit i kushtojnë pushimit të drekës. Takimet e njëpasnjëshme dhe ngarkesa me email-e bëjnë që shumë prej tyre ta konsumojnë ushqimin në tavolinën e punës, pa u shkëputur nga detyrat.
Një raport i vitit 2025 nga Just Eat tregoi se 56% e punonjësve të Gjeneratës Z kishin më shumë gjasa të merrnin një pushim të plotë gjatë drekës. Ndërkohë, millennials rezultuan brezi që kishte më shumë prirje se të tjerët për ta konsumuar drekën në tavolinën e punës.
Duket se çështja nuk është vetëm se çfarë hamë në zyrë, por edhe sa kujdes tregojmë për kolegët dhe sa kohë i kushtojmë vetes gjatë ditës së punës. /skyweb.al















