Humbja graduale e kujtesës është një nga pasojat më të dhimbshme të demencës, jo vetëm për personat që përballen me sëmundjen, por edhe për familjarët e tyre. Për eurodeputeten belge Hilde Vautmans, momenti më i vështirë ishte kur babai i saj nuk arriti më ta njihte.
Sëmundja e Alzheimerit, forma më e përhapur e demencës, shkakton rënie progresive të aftësive njohëse, duke vështirësuar kujtesën, të menduarit dhe komunikimin. Aktualisht, më shumë se 12 milionë persona në Evropë jetojnë me demencë, ndërsa parashikohet që numri të arrijë në 20 milionë deri në vitin 2050. Alzheimeri përbën 60 deri në 80% të rasteve.
Përveç përpjekjeve për diagnostikim të hershëm, studiuesit po eksplorojnë mënyra të reja për të përmirësuar jetën e personave që vuajnë nga humbja e kujtesës. Një prej tyre është terapia e kujtimeve, e cila përdor fotografi, objekte të njohura dhe muzikë për të nxitur rikujtimin e përvojave personale.
Tashmë, kësaj metode po i shtohet edhe inteligjenca artificiale. Projekti “Synthetic Memories”, i krijuar nga studioja kreative “Domestic Data Streamers” në Barcelonë, përdor inteligjencën artificiale për të rikrijuar në formë imazhesh kujtimet që rrëfejnë personat me demencë.
Nisma nisi në vitin 2023 në qendra rezidenciale për të moshuarit në Spanjë, ku ekipi bashkëpunoi me punonjës socialë dhe neuroterapistë.
Gjatë një seance rreth njëorëshe, një intervistues dhe një sistem i inteligjencës artificiale i ndihmojnë pjesëmarrësit të tregojnë përvojat e tyre. Më pas, modelet gjeneruese të IA-së i shndërrojnë rrëfimet në imazhe vizuale, duke krijuar një mënyrë të re për të ruajtur dhe rikthyer historitë personale të njerëzve, edhe kur kujtesa e tyre fillon të zbehet. /skyweb.al















