Një medikament i ri kundër kancerit të pankreasit po konsiderohet si përparimi më i madh në trajtimin e kësaj sëmundjeje prej dekadash, pasi ka treguar rezultate shumë premtuese në provat e para klinike.
Medikamenti daraxonrasib, i kombinuar me kimioterapinë, ka arritur të ndalojë rritjen e tumoreve në 90% të pacientëve me kancer të avancuar të pankreasit, ndërsa në mbi 60% të tyre tumoret janë zvogëluar ose janë zhdukur. Veçanërisht premtues është fakti se në rreth 8% të pacientëve, tumoret nuk dalloheshin më në skanimet CT.
Studimi përfshiu 61 pacientë, sëmundja e të cilëve ishte përhapur edhe në organe të tjera. Daraxonrasib vepron duke bllokuar mutacionet KRAS, të cilat luajnë një rol të rëndësishëm në rritjen dhe përhapjen e qelizave kancerogjene.
Ekspertët e cilësojnë këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm përpara, pasi kanceri i pankreasit është ndër format më agresive të kancerit dhe ka një shkallë shumë të ulët mbijetese.
Megjithatë, mjekët theksojnë se rezultatet janë ende paraprake dhe nevojiten studime më të gjata për të përcaktuar nëse trajtimi mund të zgjasë mbijetesën dhe të çojë në remision afatgjatë. /skyweb.al















