Pas më shumë se dy vitesh negociatash, Parlamenti Europian ka dhënë miratimin përfundimtar për reformën e legjislacionit farmaceutik të Bashkimit Europian.
Rregullat e reja, të miratuara edhe nga Këshilli Europian në fillim të këtij viti, përditësojnë kuadrin ligjor që ka qenë në fuqi për më shumë se 20 vjet. Reforma synon të parandalojë mungesat e barnave, të përmirësojë aksesin e pacientëve në trajtime, të mbështesë inovacionin dhe industrinë farmaceutike, si dhe të luftojë rezistencën antimikrobike (AMR).
“Nevojiten risi që sjellin terapi të reja për nevoja mjekësore të paplotësuara, përfshirë sëmundjet e rralla, patologjitë pediatrike dhe antibiotikët e rinj”, deklaroi Adam Jarubas, eurodeputet polak nga Partia Popullore Europiane (EPP) dhe kryetar i Komitetit për Shëndetin Publik të Parlamentit Europian (SANT).
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e garantimit të aksesit më të barabartë në barna për të gjitha shtetet anëtare, duke siguruar njëkohësisht që medikamentet e reja të mbeten të përballueshme për qytetarët.
Sipas Jarubas, inovacioni duhet të ecë paralelisht me konkurrencën dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të sistemeve shëndetësore.
“Besoj se kemi arritur një kompromis të përgjegjshëm dhe të balancuar me kujdes mes këtyre objektivave”, u shpreh ai gjatë një konference për shtyp të mërkurën.
Si do të ndryshojnë rregullat e reja?
Vitet e fundit, Bashkimi Europian është përballur vazhdimisht me mungesa të barnave.
Sipas një raporti të Gjykatës Europiane të Auditorëve, të publikuar vitin e kaluar, mungesat arritën nivele rekord gjatë viteve 2023 dhe 2024, duke krijuar vështirësi për pacientët dhe sistemet shëndetësore, si dhe duke nxjerrë në pah dobësitë strategjike të BE-së në furnizimin me medikamente.
Mungesat e barnave mund të shkaktohen nga probleme në prodhim, rritja e papritur e kërkesës ose vendimi i një kompanie farmaceutike për të tërhequr një produkt nga tregu. Këta faktorë mund të kufizojnë furnizimin përkohësisht ose në mënyrë të përhershme.
Për të adresuar këtë problem, legjislacioni i ri vendos detyrime më të forta për kompanitë farmaceutike, me qëllim garantimin e vazhdimësisë së furnizimit me barna.
Prodhuesit do të detyrohen të njoftojnë autoritetet kombëtare dhe Agjencinë Europiane të Barnave (EMA) për ndërprerjet e pritshme të furnizimit që zgjasin më shumë se dy javë, si dhe për pezullimet e përkohshme të prodhimit.
Këto njoftime duhet të bëhen të paktën gjashtë muaj përpara. Ndërsa në rastet kur një kompani vendos të tërheqë përgjithmonë një medikament nga tregu, ajo duhet të njoftojë autoritetet një vit përpara. /skyweb.al















