Banka e Anglisë ka ngritur alarmin për rreziqet që po krijon bumi i investimeve në inteligjencën artificiale për stabilitetin financiar global, ndërsa kompanitë teknologjike po mbështeten gjithnjë e më shumë te huamarrja për financimin e projekteve të tyre.
Në raportin gjashtëmujor të stabilitetit financiar, banka qendrore britanike paralajmëron se, pavarësisht humbjeve të fundit në bursa, vlerësimet e kompanive teknologjike mbeten të larta dhe varen ndjeshëm nga pritshmëritë për fitimet e ardhshme nga inteligjenca artificiale.
Shqetësimi kryesor lidhet me strukturën gjithnjë e më komplekse dhe jotransparente të financimit të këtyre investimeve. Sipas raportit, lidhjet financiare dhe detyrimet kontraktore të gjigantëve të teknologjisë me sistemin financiar arrijnë në rreth 4 trilionë dollarë.
Vetëm emetimi i obligacioneve nga kompanitë e mëdha të infrastrukturës informatike pritet të tejkalojë 305 miliardë dollarë gjatë vitit 2026, duke përbërë rreth 8% të emetimeve globale të obligacioneve të korporatave me cilësi të lartë kreditimi.
Sipas vlerësimeve të JPMorgan, emetimi i obligacioneve nga kompanitë e lidhura me inteligjencën artificiale pritet të arrijë në 450 miliardë dollarë gjatë vitit 2027, nga 368 miliardë dollarë këtë vit.
Një nga shqetësimet më të mëdha të bankave qendrore është financimi rrethor, ku kompanitë teknologjike veprojnë njëkohësisht si investitorë, furnizues dhe klientë të njëra-tjetrës.
Një gjigant teknologjik financon një kompani që zhvillon modele të inteligjencës artificiale, ndërsa kjo e fundit përdor paratë e marra për të blerë kapacitete kompjuterike pikërisht nga kompania që e financoi. Marrëveshje të tilla e vështirësojnë identifikimin e kërkesës reale për shërbimet e inteligjencës artificiale dhe të rreziqeve financiare.
Paralelisht, sipas vlerësimeve të Morgan Stanley, investime me vlerë rreth 700 miliardë dollarë në qendrat e të dhënave gjatë periudhës 2026–2028 mund të financohen përmes fondeve private të kreditimit.
Bankat e mëdha amerikane, përfshirë Citi dhe JPMorgan, po shqyrtojnë mundësinë e transferimit të një pjese të rrezikut të kredive të lidhura me inteligjencën artificiale te investitorë të tjerë.
Paralajmërimet e Bankës së Anglisë vijnë pas shqetësimeve të ngjashme të shprehura nga Banka Qendrore Europiane dhe Rezerva Federale amerikane.
BQE-ja ka evidentuar ngjashmëri me flluskën e kompanive të internetit në fillim të viteve 2000, por edhe me disa karakteristika të tregut të kredive hipotekare që qëndroi në qendër të krizës financiare të vitit 2008.
Frika e përbashkët e bankave qendrore është se, nëse inteligjenca artificiale nuk gjeneron fitimet e pritshme, rënia e vlerës së kompanive teknologjike mund të shkaktojë një reaksion zinxhir, me humbje nga kreditë, shitje të detyruara të aktiveve dhe tkurrje të financimit në ekonominë globale.
Deri më tani, sipas Bankës së Anglisë, përhapja e goditjes së fundit të bursave në tregjet e tjera financiare ka mbetur e kufizuar. /skyweb.al















