Kompania ajrore norvegjeze me kosto të ulët Norse Atlantic ka anuluar të gjitha fluturimet dhe ka ndërprerë shitjen e biletave, pasi dështuan përpjekjet për sigurimin e financimeve emergjente, ndërsa pronarët e avionëve kërkuan kthimin e të gjithë flotës prej 12 avionësh Boeing 787 Dreamliner.
Në një njoftim zyrtar për bursën e Oslos, të publikuar në orën 14:00 të kësaj të premteje, kompania konfirmoi se bordi i filialit të saj operativ në Norvegji ka vendosur të paraqesë kërkesën për falimentim në Gjykatën e Agderit.
Vetëm disa orë më parë, Norse Atlantic kishte njoftuar se kompanitë e leasing-ut kishin ndërprerë kontratat e qirasë për të gjithë avionët e saj. Transportuesi norvegjez kundërshton vlefshmërinë ligjore të këtyre njoftimeve.
Në vitin 2021, Norse Atlantic kishte nënshkruar kontrata afatgjata për marrjen me qira të nëntë avionëve Boeing 787 nga kompania irlandeze AerCap dhe gjashtë avionëve të tjerë të të njëjtit tip nga BOC Aviation, me seli në Singapor. Tre prej avionëve iu kthyen më pas AerCap-it.
Kontratat me kompaninë irlandeze kishin një kohëzgjatje prej rreth 12 vjetësh për secilin avion, ndërsa ato me BOC Aviation shtriheshin në 16 vjet.
Situata financiare e Norse Atlantic ishte përkeqësuar ndjeshëm gjatë muajve të fundit, veçanërisht për shkak të rritjes së çmimit të karburantit të avionëve pas shpërthimit të luftës me Iranin. Kompania nuk kishte siguruar paraprakisht çmimin e karburantit përmes kontratave mbrojtëse ndaj luhatjeve të tregut.
Përpjekjet për gjetjen e një investitori të ri, shitjen e kompanisë apo sigurimin e financimeve afatshkurtra nuk arritën të shmangnin krizën e likuiditetit.
Kërkesa për falimentim përfshin filialin operativ norvegjez, ndërsa kompania mëmë Norse Atlantic ASA dhe filiali britanik po shqyrtojnë ende mundësitë për të vijuar aktivitetin.
Pasagjerëve që kanë rezervuar bileta u është kërkuar të mos paraqiten në aeroporte. Ata mund të paraqesin kërkesa për rimbursim në kuadër të procedurave të falimentimit, por kthimi i parave nuk është i garantuar.
Norse Atlantic nisi fluturimet në vitin 2022, duke synuar të zhvillonte tregun e udhëtimeve ndërkontinentale me kosto të ulët, veçanërisht ndërmjet Europës dhe Shteteve të Bashkuara. Në fund të qershorit të këtij viti, kompania numëronte 1.071 punonjës.
Aksionet e saj në bursën e Oslos kishin humbur deri paraditen e së premtes 99,6% të vlerës që nga fillimi i vitit.
Norse Atlantic i shtohet listës së kompanive ajrore të goditura nga kriza e karburanteve, pas ndërprerjes së aktivitetit të amerikanes Spirit Airlines dhe nisjes së procedurave të ristrukturimit financiar të kompanisë kombëtare letoneze airBaltic.
















