Sipas raportit të fundit financiar, në fund të shtatorit 2026, Wizz Air dispononte 199 avionë A321neo dhe 10 avionë A321XLR, ndërsa kishte porositur edhe 234 avionë të tjerë A321neo.
Një pjesë e kësaj flote është bazuar edhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës. Aktualisht në bazën e Wizz Air në TIA operojnë 14 avionë Airbus A321neo, kurse TIA ka njoftuar se në verën e vitit 2027 do ta zgjerojë në mënyrë të përhershme flotën në Rinas në 15 avionë A321neo, duke e kthyer Tiranën në bazën e gjashtë më të madhe të Wizz Air në rrjetin e saj.
Por pse kompania hungareze po investon kaq shumë pikërisht në këtë model?
Airbus A321neo ka një avantazh të konsiderueshëm në kapacitet krahasuar me konkurrentët amerikanë, Boeing 737 MAX 8 dhe MAX 9.
Ndërsa A321neo mund të transportojë maksimalisht 244 pasagjerë, Boeing 737 MAX 8 arrin deri në 210 vende dhe MAX 9 deri në 220 vende.
Wizz Air i ka konfiguruar avionët e saj A321neo me 239 vende, duke transportuar rreth 14% më shumë pasagjerë se kapaciteti maksimal i MAX 8 dhe 9% më shumë se ai i MAX 9.
Ky avantazh është veçanërisht i rëndësishëm për kompanitë low-cost, pasi mundëson shpërndarjen e kostove të një fluturimi ndërmjet një numri më të madh pasagjerësh, duke ulur koston për secilin prej tyre.
Sipas Airbus, A321neo redukton konsumin e karburantit dhe emetimet e dioksidit të karbonit për pasagjer me 20% krahasuar me gjeneratën paraardhëse.
Përqendrimi te një familje avionësh redukton gjithashtu kostot e mirëmbajtjes, trajnimit të pilotëve dhe menaxhimit të pjesëve të këmbimit.
Me një moshë mesatare prej vetëm 4.6 vjetësh, Wizz Air disponon, sipas kompanisë, flotën më të re ndër operatorët e mëdhenj ajrorë evropianë.
Deri në mars të vitit 2033, kompania synon të ketë 368 avionë A321neo dhe 11 avionë A321XLR, të cilët së bashku pritet të përbëjnë rreth 99% të flotës së saj. /skyweb.al
















