Çmimi i arit mund të arrijë rekorde të reja brenda 24 muajve të ardhshëm, ndërsa blerjet e bankave qendrore janë ngjitur në nivelin më të lartë në gati dy vjet.
Sipas të dhënave paraprake të Këshillit Botëror të Arit, në shtator janë regjistruar rreth 63 ton blerje ari nga bankat qendrore, niveli më i lartë mujor që nga nëntori 2024.
Edhe pse ari ra me rreth 2% të mërkurën, në 4,075 dollarë për onz troje, për shkak të pritshmërive se Rezerva Federale amerikane mund të rrisë sërish normat e interesit, menaxherët e fondeve mendojnë se rënia do të jetë e përkohshme.
Sipas tyre, metali i çmuar mbetet një strehë e sigurt në një kohë tensionesh gjeopolitike, pasigurie ekonomike dhe tronditjesh në tregjet financiare.
Charlotte Yonge nga Troy Asset Management parashikon që ari të arrijë një rekord të ri brenda 12 deri në 18 muajve, duke e cilësuar atë si një mbrojtje ndaj përkeqësimit të financave publike dhe borxhit në rritje.
Në të njëjtën linjë, Paul Carne nga Aon Investments tha se ari do të prekë sërish nivele rekord brenda dy viteve, ndërsa investitorët po kërkojnë alternativa ndaj dollarit amerikan.
Çmimi i arit kishte arritur një rekord mbi 5,500 dollarë për onz në janar, përpara se të tërhiqej, por edhe pas rënies mbetet në nivele historikisht shumë të larta.
Ekspertët e industrisë thonë se kërkesa po mbështetet edhe nga humbja e besimit te monedhat “fiat”, si dhe nga frika se bankat qendrore mund të rikthehen te shtypja e parave në rast recesioni.
Sipas Standard Chartered, kërkesa nga bankat qendrore mbetet shumë e fortë, edhe pse disa vende kanë shitur një pjesë të rezervave për të siguruar likuiditet pas tensioneve të luftës SHBA-Izrael me Iranin.
Një tjetër faktor mbështetës mbetet Kina. Banka Popullore e Kinës ka vijuar të shtojë rezervat e arit, të cilat tashmë përbëjnë rreth 9% të totalit të rezervave, ose afërsisht 2,410 ton.
Mesazhi i tregut është i qartë: nëse pasiguria globale thellohet dhe besimi te dollari dobësohet më tej, ari mund të jetë sërish një nga fituesit më të mëdhenj të viteve të ardhshme. /FT















