Dëmtimi i bizneseve gjatë protestave vë në rrezik investime të ngritura prej vitesh, vende pune dhe të ardhurat e familjeve. Ky është paralajmërimi i nëntë shoqatave të sipërmarrjes, të cilat kanë dalë me një qëndrim të përbashkët për situatën në Tiranë.
Përfaqësuesit e biznesit kërkojnë ndalimin e sulmeve ndaj pronës publike dhe private, duke i cilësuar të papranueshme aktet e dhunës kundër bankave, qendrave tregtare dhe institucioneve. Sipas tyre, pasojat shtrihen përtej dëmeve në ndërtesa dhe prekin drejtpërdrejt aktivitetin ekonomik.
Institucioneve dhe forcave të rendit u kërkohet të forcojnë masat parandaluese në zonat ku rreziku është më i lartë dhe të garantojnë mbrojtjen e sipërmarrjeve e të punonjësve të tyre.
Shoqatat theksojnë njëkohësisht se veprimet e Policisë duhet të jenë profesionale dhe proporcionale. Mbrojtja e jetës dhe sigurisë duhet të përfshijë qytetarët, personelin e bizneseve dhe pjesëmarrësit në protesta paqësore.
Në deklaratë kërkohet që autorët e dëmtimeve të identifikohen mbi bazën e provave. Përgjegjësia duhet të mbetet individuale, pa u shtrirë te qytetarët që ushtrojnë paqësisht të drejtën e protestës, të cilën shoqatat e vlerësojnë si themelore për demokracinë.
Një apel i drejtohet edhe organizatorëve politikë të tubimeve. Përfaqësuesit e sipërmarrjes u kërkojnë të distancohen nga personat që ushtrojnë dhunë dhe të bashkëpunojnë për të shmangur përshkallëzimin e tensioneve.
Qëndrimit të përbashkët i janë bashkuar përfaqësues të agrobiznesit, ndërtimit, turizmit dhe manifakturës, si edhe Shoqata e Grave Profesioniste. /skyweb.al















