Reshjet e dëborës kanë përfshirë gjatë natës disa zona në veri dhe juglindje të vendit, por pavarësisht kushteve atmosferike, të gjitha akset rrugore vijojnë të jenë të hapura dhe qarkullimi po zhvillohet normalisht.
Sipas njoftimit të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), gjatë natës janë regjistruar reshje shiu me intensitet mesatar, ndërsa dëbora ka prekur disa akse rrugore në rajonin verior dhe atë juglindor.
Në veri, reshjet e dëborës janë evidentuar në akset Bajram Curri-Valbonë, Ura Bujan-Qafë Morinë, Hani i Hotit-Vermosh, Bogë-Theth, Sopot-Kërrnaj, Qafë Mejdan-Tropojë-Buçaj, Dushaj-Lekbibaj, Rrëshen-Shpal-Qafë Benë, Fierzë-Bajram Curri, Bulqizë-Peshkopi, Kukës-Shishtavec, Kukës-Bushtricë, Kukës-Krumë dhe Dedaj-Razëm.
Ndërkohë, në juglindje, dëbora ka përfshirë akset Qukës-Qafë Plloçë, Qafë Plloçë-Qafë Thanë, Librazhd-Fushë Studen, Korçë-Dardhë dhe Zëmblak-Goricë.
ARRSH bën me dije se ekipet e kontraktorëve ndodhen në terren me mjete dhe punonjës, duke vijuar punën për pastrimin e rrugëve dhe shpërndarjen e kripës, me qëllim parandalimin e formimit të ngricave.
Autoriteti Rrugor Shqiptar u bën apel drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë udhëtimit, të përdorin goma dimërore dhe të pajisen me zinxhirë, veçanërisht kur udhëtojnë drejt zonave ku ka prezencë dëbore. /skyweb.al















