Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, përcolli një mesazh për bashkëpunim përtej ndasive politike, forcimin e institucioneve dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës, gjatë fjalimit të mbajtur gjatë pritjes në Pallatin e Brigadave me rastin e 114-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Para të pranishmëve, Kreu i Shtetit theksoi se 28 Nëntori nuk është vetëm një ditë feste dhe krenarie kombëtare, por edhe një moment reflektimi mbi përgjegjësinë e brezit të sotëm për ndërtimin e Shqipërisë.
“Ata nuk na lanë një Shqipëri të përfunduar; na lanë një Shqipëri për ta ndërtuar”, u shpreh Begaj, duke iu referuar etërve të Pavarësisë.
Presidenti vlerësoi transformimin e vendit gjatë 35 viteve të fundit, nga izolimi i diktaturës komuniste në anëtarësimin në NATO dhe negociatat për integrimin në Bashkimin Evropian, por theksoi se dashuria për atdheun kërkon edhe guximin për të pranuar mangësitë.
Duke u ndalur te procesi i integrimit evropian, Begaj nënvizoi se anëtarësimi në BE nuk është thjesht një objektiv politik, por kërkon standarde të reja në funksionimin e shtetit dhe institucioneve.
“Ne duam të jemi pjesë e Evropës jo vetëm me flamurin tonë, por edhe me institucione të forta, drejtësi funksionale, administratë profesionale, ekonomi konkurruese dhe me qytetarë që ndihen të barabartë e ku askush nuk është mbi ligjin”, deklaroi Presidenti.
Begaj kërkoi bashkëpunim ndërmjet qeverisë, opozitës, institucioneve të drejtësisë, medias dhe shoqërisë civile, duke theksuar se përgjegjësia ndaj vendit është e përbashkët, pavarësisht roleve dhe qëndrimeve të ndryshme politike.
Kreu i Shtetit iu referua edhe protestave të zhvilluara së fundmi, duke i cilësuar ato si një e drejtë kushtetuese dhe të dobishme për demokracinë, por duke kundërshtuar dhunën dhe shkatërrimin.
“Demokracia nuk kërkon që të mendojmë të gjithë njësoj. Kërkon që, edhe kur mendojmë ndryshe, të ndihemi nën të njëjtën çati”, tha Begaj, duke apeluar për dialog dhe zgjidhje institucionale.
Presidenti e mbylli fjalimin me thirrjen që brezi i sotëm të mos kufizohet në përkujtimin e arritjeve historike, por të marrë përgjegjësinë për t’u lënë pasardhësve një shtet të së drejtës, të zhvillimit dhe të dinjitetit njerëzor.
FJALA E PLOTË E SH. T. Z. BAJRAM BEGAJ, ME RASTIN E 28 NËNTORIT
Ka ditë në historinë e një kombi që nuk janë vetëm ngjarje. Ato janë jo vetëm pjesë e kujtesës sonë, por edhe thirrje që historia i drejton çdo brezi: Çfarë bëtë me atë që ju lanë të parët?
Për shqiptarët, 28 Nëntori është një ditë e tillë.
Të nderuar bashkëkombës brenda dhe jashtë Shqipërisë,
I nderuar Kryetar i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, z. Niko Peleshi,
I nderuar Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama,
E nderuar Kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës,
I nderuar Zëvendëskryetar i Kuvendit të Malit të Zi, z. NikollCamaj,
I nderuar Zëvendëskryeministër i Maqedonisë së Veriut, z. Bekim Sali,
Të nderuar deputetë, ministra, përfaqësues të trupit diplomatik, të institucioneve shtetërore, bashkësive fetare, të shoqërisë civile, të kulturës, medias dhe të jetës publike,
Miq e të ftuar,
Të nderuar pjesëmarrës,
Në Vlorën e vitit 1912 (një mijë e nëntëqind e dymbëdhjetë) kur dukej se historia po vendoste për fatin e popujve të vegjël pa i pyetur ata, një grup burrash të mençur, guximtarë dhe largpamës shpallën Shqipërinë të lirë dhe të pavarur.
Ismail Qemali dhe bashkëpunëtorët e tij nuk gjetën një shtet të ndërtuar; nuk kishin as institucione dhe as ekonomi të zhvilluar. Kishin diçka më të madhe: kishin bindjen se një popull ka të drejtë të përcaktojë vetë të ardhmen e tij.
Ata nuk na lanë një Shqipëri të përfunduar; na lanë një Shqipëri për ta ndërtuar.
Prandaj, 28 Nëntori nuk është vetëm dita kur nderojmë ata që bënë historinë. Është edhe dita kur duhet të pyesim veten nëse po bëjmë detyrën tonë ndaj saj, sepse pavarësia nuk është vetëm një e drejtë e fituar, por edhe një përgjegjësi për Shqipërinë që duhet ndërtuar.
Të nderuar bashkëkombës,
Për të kuptuar se ku jemi, duhet të kujtojmë se ku kemi qenë.
Pjesën më të madhe të këtyre 114 (një qind e katërmbëdhjetë) vjetëve e kaluam në pushtime, luftëra, dhe një diktaturë që na mbylli nga bota. Për gati gjysmë shekulli, shqiptarët humbën lirinë, nuk mund të shpreheshin lirisht, nuk mund të besonin e as të ëndërronin me zë të lartë.
Liria e vërtetë, liria për të zgjedhur, për tu shprehur dhe për të vepruar, është me ne vetëm prej 35 (tridhjetë e pesë) vjetësh. Aq sa jeta e një brezi.
Në këto 35 (tridhjetë e pesë) vjet kemi bërë një rrugë që shumë kombe e bënë në një shekull. Vendi që dikur ishte më i izoluari në Evropë, sot është anëtar i NATO-s dhe në negociata për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Kemi një ekonomi më të hapur dhe një shoqëri më të lidhur me botën. Kemi shqiptarë të arrirë dhe të suksesshëm në shkencë, kulturë, sport, teknologji dhe sipërmarrje brenda dhe jashtë vendit.
Sot Shqipëria ka një vend të vlerësuar dhe respektuar në bashkësinë ndërkombëtare. Sot kemi një Shqipëri tjetër. Shqipëria është transformuar.
Ndaj, ne jemi krenar për atdheun tonë.
Por dashuria për atdheun nuk matet vetëm me aftësinë për të vlerësuar atë që kemi arritur. Ajo matet edhe me guximin për të pranuar atë që ende nuk kemi bërë.
Të nderuar bashkëkombës,
Shqiptarët e 1912-s (një mijë e nëntëqind e dymbëdhjetës) luftuan për liri, flamur dhe pavarësi, që të kishim një shtet. Të tjerët pas tyre rezistuan dhe sakrifikuan për ta mbajtur gjallë atë shtet në kohë të vështira. Shqiptarët e viteve ’90 (nëntëdhjetë) shembën murin e frikës. Fituam demokracinë.
Kemi kaluar periudha të vështira por kemi gjetur forcën për të ecur përpara.
Sot po rritet një brez që kërkon më shumë zë dhe më shumë vëmendje, më shumë mundësi dhe më shumë përfshirje.
Këtë kohë, të rinj dhe qytetarë protestojnë. Edhe sot në ditën e shenjtë të bashkimit. Protesta është një e drejtë kushtetuese dhe e dobishme në demokraci. Por dhuna, shkatërrimi dhe imponimi nuk janë zgjidhja e as alternativa. Dialogu dhe rruga institucionale janë zgjidhja.
Demokracia nuk kërkon që të mendojmë të gjithë njësoj. Kërkon që, edhe kur mendojmë ndryshe, të ndihemi nën të njëjtën çati.
Sepse ajo që na bashkon është shumë më e madhe se ajo që na ndan. Mund të kemi qëndrime të ndryshme për vendimet e ditës, por mbetemi të bashkuar në vlera, për demokracinë, për shtetin e së drejtës dhe për orientimin Euroatlantik të vendit.
Të nderuar bashkëkombës,
Shqipëria, si asnjëherë më parë, ndodhet në një moment të rëndësishëm të historisë së saj evropiane. Rruga drejt Bashkimit Evropian nuk është më një ëndërr e largët, por një proces konkret, me mundësi të mëdha dhe përgjegjësi po kaq të mëdha.
Evropa nuk është vetëm një destinacion gjeografik apo një tryezë ku dëshirojmë të ulemi. Ajo është një kulturë politike, një sistem vlerash dhe një standard i jetës publike.
Ne duam të jemi pjesë e Evropës jo vetëm me flamurin tonë, por edhe me institucione të forta, drejtësi funksionale, administratë profesionale, ekonomi konkurruese dhe me qytetarë që ndihen të barabartë e ku askush nuk është mbi ligjin.
Kjo kërkon bashkëpunim përtej ndarjeve politike dhe përgjegjësi nga të gjithë. Kuvendi, qeveria, opozita, drejtësia, media, shoqëria civile, universitetet dhe çdo qytetar shqiptar ka secili role të ndryshme, por përgjegjësinë ndaj Shqipërisë e kanë të njëjtë.
Edhe Diaspora shqiptare, pjesë e rëndësishme e kombit tonë, me dijet, përvojën, kapitalin, lidhjet me botën dhe me përgjegjësinë e saj ndaj atdheut, duhet të jetë pjesë aktive e procesit të integrimit dhe suksesit tonë evropian.
Të nderuar të pranishëm,
Jetojmë në një kohë kur bota po ndryshon me shpejtësi. Luftërat, klasike dhe ato hibride, rivalitetet gjeopolitike, pasiguria, zhvillimi teknologjik, ndryshimet demografike dhe klimatike po krijojnë sfida të reja për çdo shtet.
Për një vend të vogël si Shqipëria, partneritetet strategjike dhe aleancat janë garanci të rëndësishme për sigurinë dhe zhvillimin.
Partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe anëtarësimi në NATO janë shtylla të rëndësishme të sigurisë dhe orientimit tonë Euroatlantik.
Siguria e një kombi nuk është vetëm çështje kufijsh dhe mbrojtjeje ushtarake. Ajo është edhe siguri kibernetike, energjetike, ushqimore.
Një shoqëri e mirëarsimuar, një ekonomi e qëndrueshme dhe institucione të besueshme janë, gjithashtu, pjesë e sigurisë sonë kombëtare.
Prandaj, përgjigjja ndaj sfidave të kohës sonë nuk mund të jetë nostalgjia për të kaluarën, por aftësia për të përgatitur të ardhmen.
Të nderuar bashkëkombës,
Kombin e përcaktojnë gjuha, flamuri, kujtesa, kultura, solidariteti dhe përgjegjësia e përbashkët.
Në vitin 1912 (një mijë e nëntëqind e dymbëdhjetë), etërit e pavarësisë besuan se Shqipëria mund dhe duhej të ishte e lirë dhe e pavarur.
Sot, ne duam një Shqipëri evropiane jo vetëm në hartë, por në mënyrën se si funksionon, si kujdeset për qytetarët dhe si ndërton të ardhmen e saj.
Prandaj, 28 Nëntori është festë, është festa e të gjithë shqiptarëve: në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi, në Luginën e Preshevës dhe kudo ku jeton një shqiptar.
Sot nuk nderojmë vetëm ata që ngritën flamurin në Vlorë; nderojmë edhe sakrificën e brezave që mbrojtën me gjak lirinë dhe ruajtën identitetin tonë kombëtar.
Pavarësia është jo vetëm ajo që kemi fituar në vitin 1912 (një mijë e nëntëqind e dymbëdhjetë), por edhe Shqipëria që do të vazhdojmë të ndërtojmë.
Le të ndërtojmë një Shqipëri që nuk kërkon të vlerësohet vetëm për historinë e saj, por edhe për të ardhmen që u ofron fëmijëve të saj.
Më 28 Nëntor 1912 (një mijë e nëntëqind e dymbëdhjetë), Shqipëria lindi si shtet i pavarur. Sot, 114 (një qind e katërmbëdhjetë) vjet më vonë, të mos jemi brezi që vetëm kujton atë që bënë të parët. Të jemi brezi që merr përgjegjësinë për atë që do t’u lëmë trashëgim pasardhësve tanë, një shtet të së drejtës, të zhvillimit dhe të dinjitetit njerëzor.
Gëzuar Ditën e Pavarësisë!
Gëzuar Ditën e Flamurit!
Rroftë Shqipëria dhe kombi shqiptar!
Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët!
Zoti e bekoftë miqtë e Shqipërisë!
/skyweb.al















