Çmimi i së njëjtës shportë me pesë produkte bazë ushqimore mund të ndryshojë me mbi 1 mijë lekë brenda të njëjtit qytet, ndërsa diferenca të konsiderueshme vërehen edhe mes tetë qyteteve të vendit.
Monitor ka llogaritur vlerën e shportës ushqimore, duke përfshirë vetëm 5 produkte bazë ushqimore, si miell, oriz, makarona, vaj luledielli dhe sheqer për 8 qytete të vendit: Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier, Vlorë, Shkodër, Lezhë dhe Sarandë. Llogaritja e vlerës së shportës ushqimore është mbështetur sipas çmimeve të publikuara në platformën “Pasqyra e çmimeve”.
Për shpenzimet e 5 produkteve ushqimore, si miell, oriz, makarona, vaji i lulediellit dhe të sheqerit, rezulton se qyteti i Fierit shënon vlerën minimale më të lartë prej 508 lekë. Në qytetet si Tirana, Durrësi dhe Saranda vlera minimale e shpenzimeve për këto pesë produkte arrin 429 lekë.
Ndërsa vlera maksimale e shpenzimeve për 5 produktet për 8 qytetet e përdorura për krahasim, varion nga 1,133 lekë deri në 1,535 lekë. Mes rretheve diferenca e shpenzimeve minimale është 79 lekë dhe nga maksimale është 402 lekë.
Shpenzimet minimale për një qytetar në Tiranë për blerjen 5 produkteve të shportës ushqimore llogariten në vlerën e 429 lekëve. Ndërsa vlera maksimale e shpenzimeve për blerjen e të njëjtës shportë ushqimore arrin 1,535 lekë. Për totalin e shpenzimeve për këto 5 artikuj diferenca është 1,106 lekë.
E njëjta diferencë rezulton edhe në qytetin e Durrësit, ku vlera e shpenzimeve minimale llogaritet 429 lekë dhe maksimale 1,535 lekë.
Ndërkohë për qytetet si Fier dhe Vlorë, vlera minimale është përkatësisht 508 lekë dhe 434 lekë, ndërsa ajo maksimale arrin në 1,535 lekë, e njëjtë sa në Tiranë dhe në Durrës.
Në Sarandë, shporta minimale kushton 429 lekë, ndërsa ajo maksimale 1,403 lekë, me një diferencë prej 974 lekësh. Në Shkodër, vlerat përkatëse janë 471 lekë dhe 1,391 lekë, duke rezultuar në një diferencë prej 920 lekësh.
Ndërkohë, në Elbasan dhe Lezhë, shporta me çmimet minimale kushton përkatësisht 439 lekë dhe 459 lekë, ndërsa vlera maksimale arrin në 1,133 lekë në të dy qytetet. Në qytetin e Lezhës, diferenca mes dy vlerave është 694 lekë, më e ulëta ndër qytetet e përfshira në krahasim.
Ndryshime konstatohen edhe për intervalet e çmimeve të raportuara për pesë kategoritë e produkteve. Për shembull, në Tiranë dhe Durrës, çmimi i orizit varion nga 75 në 419 lekë për kilogram, ndërsa në Elbasan dhe Lezhë nga 75 në 240 lekë. Edhe vaji i lulediellit paraqet intervale të ndryshme: nga 170 në 205 lekë për litër në Elbasan dhe Lezhë, kundrejt 170 deri në 419 lekë në Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë dhe Sarandë.
Diferenca vërehen edhe te sheqeri. Në shumicën e qyteteve, çmimi varion nga 65 në 299 lekë për kilogram, ndërsa në Shkodër intervali është nga 69 në 219 lekë.
Vlerat e shportës janë shuma aritmetike e çmimeve minimale dhe maksimale të raportuara për secilin produkt në platformën “Pasqyra e Çmimeve”.
Për një krahasim të plotë të kostos reale të blerjeve, duhet të merren parasysh edhe marka, karakteristikat dhe paketimi i produkteve, si dhe disponueshmëria e tyre në dyqanet përkatëse./Monitor
















