Në një reagim publik, Koçeku iu referua vendosjes së karrigeve me mbishkrimin “Dialog” përpara Kryeministrisë, duke e cilësuar absurde situatën kur qeveria fton studentët për bisedime, ndërsa Parlamenti nuk mblidhet.
“Sot e pamë kryeministrin tue nxjerrë karriget jashtë Kryeministrisë për dialog. Ndërkohë, karriget e Parlamentit janë braktisë”, deklaroi ajo.
Sipas deputetes, Kuvendi është institucioni ku duhet të zhvillohet debati politik dhe ku qeverisë duhet t’i kërkohet llogari, veçanërisht në një moment krize.
“S’ka absurditet ma të madh. Institucioni ku duhet me u dëgju fjala e me i kërku llogari qeverisë, i ka ndërpre punimet pikërisht kur vendi ka ma shumë nevojë për të”, u shpreh Koçeku.
Ajo kujtoi se seanca e fundit parlamentare është anuluar, duke kërkuar që e njëjta situatë të mos përsëritet edhe me seancën e ardhshme.
Koçeku i bëri thirrje kryetarit të Kuvendit të marrë përgjegjësitë institucionale dhe të mbledhë urgjentisht deputetët.
“Dialogun ta bajmë aty se studentat janë të qartë në kërkesën e tynë. Nuk mund të bajë kryeministri dialog me studentët. Dialogun ta bajë në kuvend”, deklaroi ajo.
Sipas deputetes, përfaqësuesit e zgjedhur nga qytetarët kanë detyrimin të jenë në Parlament dhe të kërkojnë përgjigje nga qeveria për situatën e krijuar.
“Në këtë moment, me e lanë Parlamentin bosh don me thanë me iu shmangë detyrës”, theksoi Koçeku.
Në përfundim, ajo përsëriti kërkesën për mbledhjen e menjëhershme të Kuvendit dhe thirrjen e kryeministrit Edi Rama në seancë për të diskutuar krizën e protestave. /skyweb.al















