Studiuesit kanë zhvilluar një model të inteligjencës artificiale që analizon ADN-në për të identifikuar faktorët gjenetikë që rrisin rrezikun e goditjes në tru, një nga shkaqet kryesore të vdekjeve në botë.
Ekipi i Universitetit të Teknologjisë në Sidnej (UTS), Australi, identifikoi variante gjenetike të lidhura me goditjen ishemike në tru, formën më të zakonshme të kësaj sëmundjeje, e cila ndodh kur një mpiksje gjaku bllokon furnizimin e trurit me gjak.
Modeli i ri, i bazuar në teknologjinë transformer, të përdorur edhe nga sisteme si ChatGPT, u trajnua për të analizuar ndryshimet gjenetike dhe për të zbuluar lidhjet e tyre me rrezikun e goditjes në tru.
Studiuesit identifikuan 18 variante gjenetike të lidhura me këtë rrezik, duke veçuar ndër të tjera gjenet EDEM2 dhe KANK2.
Modeli u testua në dy baza të mëdha të dhënash mjekësore, me mbi 40 mijë persona gjithsej. Ai arriti t’i klasifikonte individët në tri kategori: rrezik të ulët, të mesëm dhe të lartë gjenetik.
Sipas rezultateve, personat e klasifikuar në grupin me rrezik të lartë kishin 21% më shumë gjasa të pësonin një goditje të parë ishemike në tru, krahasuar me ata të grupit me rrezik të ulët.
Autori kryesor i studimit, Kairui Guo, theksoi se këto mjete mund të ndihmojnë familjet të kuptojnë më mirë rrezikun e tyre gjenetik, veçanërisht kur një goditje në tru ndodh në moshë të re.
Ndryshe nga metodat tradicionale, të cilat vlerësojnë efektin e kombinuar të shumë varianteve gjenetike, modeli i ri synon të analizojë edhe mënyrën se si këto variante ndërveprojnë me njëra-tjetrën dhe pozicionin e tyre në ADN.
Studiuesit shpresojnë se kjo teknologji do të ndihmojë në vlerësimin më të personalizuar të rrezikut në të ardhmen. Megjithatë, modeli vlerëson predispozitën gjenetike dhe nuk parashikon me siguri nëse një person do të pësojë goditje në tru. /skyweb.al
















