Komisioni Evropian ka nisur një hetim ndaj Booking.com, për të verifikuar nëse platforma e rezervimeve turistike ka marrë masat e nevojshme për të mbrojtur përdoruesit nga ofertat e rreme dhe mashtrimet në internet.
Në qendër të hetimit janë dyshimet për shkelje të Aktit të Shërbimeve Digjitale të BE-së, i cili përcakton përgjegjësitë e platformave për trajtimin e përmbajtjeve të paligjshme dhe mbrojtjen e konsumatorëve.
Komisioni do të shqyrtojë ofertat për prona që nuk ekzistojnë, rastet kur mashtruesit paraqiten si persona apo biznese të tjera, si dhe ofertat e akomodimit që nuk përmbushin rregullat.
“Evropianët duhet të jenë në gjendje të rezervojnë pushimet e tyre pa pasur frikë se do të mashtrohen”, deklaroi zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian, Henna Virkkunen. Ajo theksoi se platforma duhet t’i marrë seriozisht përgjegjësitë për mbrojtjen e klientëve.
Një pjesë e hetimit lidhet me mesazhet dhe lidhjet e rreme që përdoren për të vjedhur të dhëna personale dhe informacione të tjera të ndjeshme. Komisioni do të verifikojë nëse Booking.com ka bërë mjaftueshëm për t’i parandaluar këto mashtrime.
Nën shqyrtim do të jetë edhe mënyra se si të dhënat e rezervimeve dhe të klientëve u shpërndahen pronarëve të hoteleve dhe strukturave të tjera akomoduese.
Komisioni do të analizojë funksionimin e sistemit të mesazheve të platformës dhe nëse masat mbrojtëse janë të mjaftueshme për të parandaluar keqpërdorimin e të dhënave.
Hetimi do të përfshijë gjithashtu respektimin e rregullave për transparencën e reklamave, për të përcaktuar nëse platforma ka përmbushur detyrimet që rrjedhin nga legjislacioni evropian.














