Berlini po përgatitet të shtetëzojë rreth 150 mijë apartamente private nga fondet e mëdha të pasurive të patundshme, në dy vitet e ardhshme, për të frenuar krizën e qirave.
Ky plan është një nga lëvizjet më radikale në tregun imobiliar europian, qëllimi i të cilit është frenimi i krizës së qirave në një qytet ku rreth 85% e popullsisë jeton me qira.
Nisma shënjestron vetëm kompanitë e mëdha private që zotërojnë mbi 10 mijë apartamente në Berlin si Vonovia, Heimstaden, Adler Group dhe Covivio. Kompanitë lejohen të mbajnë një bazë prej 10 mijë njësish, ndërsa pjesa tjetër kalon në pronësi publike.
Kooperativat e banesave, pronarët jofitimprurës dhe të gjitha ndërtesat e reja të ndërtuara pas 1 janarit 2021 janë plotësisht të përjashtuara.
Koalicioni qeverisës i përbërë nga të majtët Die Linke, Socialdemokratët SPD dhe Të Gjelbrit parashikon një tavan dëmshpërblimi prej 16 miliardë eurosh për rreth 140 mijë deri në 150 mijë apartamente në total, të cilat do të shtetëzohen,
Goditja financiare për Vonovia-n
Vonovia është qiradhënësi më i madh në Europë. Sipas përllogaritjeve të Financial Times, kjo kompani zotëron rreth 130 mijë apartamente vetëm në Berlin, nga të cilat rreth 120 mijë rrezikojnë të shtetëzohen.
Për shkak se vlera e kompesimit është dukshëm më e ulët se sa vlera e tregut të apartamenteve, Vonovia vlerësohet se do të humbasë plot 8.4 miliardë euro nga shtetëzimi i apartamenteve të saj.
Kjo humbje prej 8.4 miliardë eurosh përfaqëson rreth 60% të kapitalizimit të saj aktual të tregut, gjë që ka çuar në rënien e aksioneve të kompanisë në nivelet më të ulëta që nga viti 2023.
Debati mbi ligjshmërinë
Plani bazohet në Nenin 15 të Kushtetutës Gjermane, një klauzolë pothuajse e papërdorur kurrë që lejon shtetëzimin e tokës për të mirën e përbashkët. Drejtuesit e Vonovia-s e kanë cilësuar planin si plotësisht “antikushtetues” dhe premtojnë beteja të ashpra ligjore në gjykata.
Qyteti i Berlinit ka tashmë një borxh prej gati 70 miliardë eurosh. Zyra e Auditimit të Berlinit ka paralajmëruar se nëse gjykatat detyrojnë shtetin të paguajë vlerën reale të tregut për apartamentet, kostoja mund të shkojë deri në 40 miliardë euro, gjë që do të falimentonte financat e qytetit.
Kritikët dhe shoqatat e ndërtimit argumentojnë se ky plan tremb investitorët. Ata thonë se paratë e dëmshpërblimit do të ishte më mirë të përdorishin për të ndërtuar apartamente të reja, pasi Berlinit i mungojnë mbi 100 mijë banesa. Si pasojë e pasigurisë, Vonovia ka deklaruar se do të pezullojë projektet e reja që ka në letër.
Si u arrit tek shtetëzimi
Pas rënies së Murit të Berlinit, qyteti u përball me kriza të mëdha financiare. Për të shlyer borxhet, qeveritë e asaj kohe shitën rreth 200 mijë apartamente publike te fondet private dhe korporatat e mëdha me çmime shumë të ulëta. Për shumë vite Berlini njihej si qytet “i varfër por seksi”, ku jetesa dhe qiratë ishin jashtëzakonisht të lira.
Por me rritjen e popullaritetit të Berlinit, investitorët spekulativë blenë portofolet e banesave. Brenda një dekade (2008–2018), çmimet e qirave u dyfishuan, duke krijuar një krizë të paprecedentë për banorët e thjeshtë. Pasi mekanizmat e tjerë shtetërorë për kontrollin e qirave dështuan ose u rrëzuan në gjykatë, lindi lëvizja qytetare e njohur si “Deutsche ëohnen & Co. enteignen” (Shtetëzimi i Deutsche ëohnen & Co.)
Në shtator të vitit 2021, aktivistët arritën të mblidhnin firmat e nevojshme për të organizuar një referendum popullor. Rezultati ishte një goditje e fortë politike: 59.1% e Berlinasve votuan pro shtetëzimit të apartamenteve që zotëroheshin nga korporatat e mëdha (fillimisht pragu i propozuar ishte për kompanitë me mbi 3,000 apartamente).
Edhe pse referendumi fitoi, ai nuk ishte ligjërisht detyrues. Qeveria e Berlinit (e drejtuar atëherë nga SPD) krijoi një “Komision Ekspertësh” për të vlerësuar nëse kjo lëvizje ishte e ligjshme.
Në vitin 2023, ky komision doli me përfundimin se shtetëzimi është kushtetues, duke u bazuar te Neni 15 i Kushtetutës Gjermane. Ky nen, i shkruar në vitin 1949 por i papërdorur pothuajse kurrë, thotë se toka dhe mjetet e prodhimit mund të kalojnë në pronësi publike për të mirën e përbashkët.
Gjatë vitit 2026, me rritjen e presionit nga partia e majtë Die Linke dhe pas miratimit të një ligji kuadër për socializimin, koalicioni qeverisës u detyrua të kthejë vullnetin e referendumit në një plan konkret politik, duke e shtyrë zbatimin përfundimtar për vitin 2028 për t’i lënë kohë betejave të pritshme ligjore. /kapitali















