Fenomeni i gjobëvënies ndaj bizneseve nga grupet e vetëquajtura “të fortët” mbetet një situatë terrori për biznesmenët e vegjël dhe të mëdhenj në Shqipëri.
Ndonëse nuk raportohet publikisht, ai përbën një mekanizëm paralel dhe mban të frikësuar qindra sipërmarrës.
Duke u nisur nga rasti i fundit që ndodhi në Kamëz, VoxNews do ju tregoj metodat dhe praktikat që përdorin bandat kriminale në Shqipëri duke ju vendosur “gjoba” bizneseve.
VoxNews duke u bazuar në disa raste të ndodhura në Tiranë dhe dëshmi të disa biznesmenëve që merrnin guximin ti denonconin kemi mësuar se si funksionon “Gjobvënia” në vendin tone.
Metodat që ndjekin të “fortët” për të vendosur gjoba:
“Oferta që s’refuzohet”: Mbrojtja e detyruar
Shumica e rasteve fillojnë me të ashtuquajturën “ofertë për mbrojtje”.
Zakonisht, një person i panjohur shfaqet në biznes dhe shpreh “interes” për sigurinë e tij.
Shembulli 1: Restoranti në periferi të Tiranës:
“Erdhën dy veta. Nuk kërkuan lekë direkt. Thanë: ‘Kemi dëgjuar që s’ke mbrojtje. Mos u shqetëso, ne e mbajmë syrin këtu’. Pas dy ditësh u kthyen dhe kërkuan ‘kontributin’ 1,500 euro në muaj.”
Gjobë e “lejes” për hapjen e biznesit
Bizneset e reja në lagjet e Tiranës dhe të disa qyteteve të Shqipërisë kanë denoncuasr se para se të hapin dyert, shfaqen persona që kërkojnë pagesë fillestare.
Shembulli 2: “Na erdhën para se të vendosnim tabelën. E dinin çdo gjë: pronarin, investimin, madje edhe qiranë. Kërkuan 5 mijë euro që ‘të mos kishim probleme’ gjatë hapjes.”
Gjobë për tenderë dhe kontrata
Biznese të mëdha ndeshen me forma më të sofistikuara, ku grupet e organizuara afrohen për të marrë një përqindje nga tenderat që të “sigurojnë” që kontrata të vijojë pa ndërhyrje, dhe të pengojnë konkurentët.
Gjobë për një konflikt të fabrikuar
Në disa raste, “të fortët” krijojnë vetë një incident një përleshje e vogël, një fyerje e inskenuar — vetëm për t’i dhënë “arsyetim” pagesës së mbrojtjes.
Shifrat: Sa shkojnë gjobat nga biznesi i vogël te sipërmarrjet e mëdha:
600–1,500 euro/ muaj për restorante e bare.
2,000–5,000 euro/ muaj për biznese të mëdha ose magazina.
5–10% e vlerës së tenderit për kompanitë që fitojnë kontrata publike.
“Pagesë hyrëse” 3,000–10,000 euro për biznese të reja në zona të caktuara.
Në disa raste, pagesa kërkohet në kriptovaluta ose përmes ndërmjetësve, për të shmangur gjurmët.
Pse heshtin biznesmenë dhe nuk denoncojnë?
VoxNews pyeti një pronar i cili kishte rënë pre e këtyre të fortëve dhe ai përgjijget se: Nëse denoncoj, më djegin lokalin. Shumë biznese nuk besojnë se Policia e Shteti dhe drejtësia mund t’i mbrojë.
Skema se si funksionojnë grupet e të “fortëve” që vendosin “gjoba”
Ekzekutorët – të rinj që shfaqen në biznese, mbledhin paratë.
Koordinatorët – bëjnë llogaritë, përcaktojnë zonat dhe objektivat.
Financierët – menaxhojnë paratë, shpesh i pastrojnë përmes lokaleve dhe bizneseve fasadë.
“Mbulesat” – njerëz me ndikim lokal që funksionojnë si referencë para biznesit (“Folni me mua, unë e zgjidh”)
Të gjitha këto vijnë sepse aktorët politikë këto personazhe i shfrytëzojnë në fushata elektorale për të mbledhur vota dhe më pas këta kthehen në “zgjidhje hallesh” për qytetarët dhe biznesmenët.















