• Kreu
  • Aktualitet
  • Fokus
  • Ekonomi
  • Turizëm
  • Aviacion
  • Shëndet
  • OP-ED
  • Kush jemi ne
  • Terms and conditions
  • Privacy Policy
E shtunë, 6 Dhjetor, 2025
  • Hyr
SkyWeb.al
  • Kreu
  • Aktualitet
  • Fokus
  • Ekonomi
  • Turizëm
  • Aviacion
  • Shëndet
  • OP-ED
Nuk u gjet asnjë rezultat
Shiko të gjitha
SkyWeb.al
  • Kreu
  • Aktualitet
  • Fokus
  • Ekonomi
  • Turizëm
  • Aviacion
  • Shëndet
  • OP-ED
Nuk u gjet asnjë rezultat
Shiko të gjitha
SkyWeb.al
Nuk u gjet asnjë rezultat
Shiko të gjitha
Kreu Ekonomi

Ullinjtë e moçëm të Shqipërisë, zonat ku ndodhen pemët 2 000-3 000 vjeçare

SkyWeb Nga SkyWeb
6 Dhjetor, 2025
në Ekonomi, Kryesore
A A
0
Ullinjtë e moçëm të Shqipërisë, zonat ku ndodhen pemët 2 000-3 000 vjeçare
Share on FacebookShare on WhatsApp

Shtegto mes ullinjve të moçëm të vendit tonë. Sa vjeçar është një ulli dhe ku gjenden më të vjetrit në Shqipëri?

Gjergj Kota

Jo larg Tiranës, në Ndroq, një fshat ku gojëdhënat shtrihen që nga kohët mesjetare, shkëputemi për një ditë ndryshe, larg qytetit, në shtigjet e hiking-ut, mes ullinjve të lashtë, shekullorë e ndoshta mijëvjeçarë.

Shpatet kodrinore me tarraca guri, aroma e ullirit dhe hijet e trungjeve madhështorë krijojnë një peizazh tipik mesdhetar. Këtu, në mbretërinë e ullinjve të moçëm, e shikon qartë se koha matet me trungje dhe rrënjë.

 

Peizazh nga ullinjtë e vjetër në kodrat e Ndroqit. Foto: Autori.

Por sa vjeçar mund të jetë vërtet një ulli dhe ku gjenden më të vjetrit ullinj në Shqipëri? Legjendat flasin për mijëvjeçarë, ndërsa shkenca kërkon prova. Si matet mosha e një peme që shpesh s’ka më “zemër druri” dhe çfarë na tregojnë metodat moderne për këta “pleq të gjelbër”?

Ullinjtë mesdhetarë: midis legjendës dhe shkencës

Ulliri është një emblemë e rajonit mesdhetar dhe simbolizon paqen, mençurinë dhe harmoninë që nga lashtësia. Origjina e ullirit të kultivuar lidhet me Lindjen e Afërt; nga lindja u përhap përgjatë brigjeve të Mesdheut.

Në shumë vende mesdhetare gjenden ullinj mijëravjeçarë të cilët vazhdojnë të prodhojnë fruta, por datimi i saktë i moshës së tyre mbetet sfidues.

Pse është i vështirë datimi tek ulliri? Ndryshe nga drurët e tjerë, ulliri rritet në mënyrë jo të rregullt. Shpesh i mungojnë unaza vjetore të plota dhe trungjet e vjetër bëhen të zbrazët nga brenda.

Kjo do të thotë se metodat e zakonshme si numërimi i unazave të trungut nuk japin rezultate të besueshme.

Metoda alternative si datimi me karbon-14 përdoret për pjesët e mbetura të drurit.

Shkencëtarët vlerësojnë se me kombinim metodash, mosha maksimale e konfirmuar e ullinjve zakonisht arrin 300–500 vjet (disa studime e zgjerojnë deri rreth 700 vjet). Megjithatë, traditat dhe gojëdhënat vendore dhe analiza indirekte shpesh pretendojnë se disa ullinj janë mijëravjeçarë.

Për shembull, Ulliri i Vouves në Kretë vlerësohet të ketë 2,000–4,000 vjet jetë; në Portugali, ulliri i Mouchão mendohet ~3,350-vjeçar; ndërsa “Stara Maslina” pranë qytetit Tivar të Malit të Zi është datuar diku midis 2,014 dhe 2,480 vjeç.

Gjithashtu, Libani dikur pretendonte pemë 4,000-vjeçare, por një studim i vitit 2024 tregoi se më e vjetra prej tyre ishte rreth 1,100 vjeç, kurse shumica ~500-vjeçare. Këta shembuj nxjerrin në pah se legjendat e moshës shpesh i tejkalojnë provat shkencore.

Pavarësisht kësaj, ullinj të lashtë mbi 1,000 vjeç ekzistojnë dhe janë monumente të gjalla: p.sh., ullinjtë Bidni në Maltë janë konfirmuar me karbon-14 rreth 2,000-vjeçarë dhe mbrohen që prej vitit 1933.

UNESCO e ka shpallur 26 nëntorin “World Olive Tree Day”, me synim ruajtjen e ullishtave dhe biodiversitetit, dialogun kulturor dhe rolin socio-ekonomik të ullirit; një kujtesë se ulliri është pjesë e identitetit dhe trashëgimisë mesdhetare.

 

Shqipëria: pasuria dhe boshllëku

Shqipëria, një vend mesdhetar me traditë mijëravjeçare në ullishtari, krenohet me pasuri të jashtëzakonshme të ullinjve të vjetër, por njëkohësisht vuan nga boshllëqe në dokumentimin dhe mbrojtjen e tyre.

Sipas një studimi agronomik, nga ekspertët H. Ismaili dhe B. Gixhari, në 53 fshatra të Shqipërisë numëroheshin rreth 136 mijë rrënjë ullinj të vjetër (shumëshekullorë).

Nga njëra anë, kemi trashëgimi natyrore mbresëlënëse. Ullinj që përbëjnë jo vetëm kultivarë autoktonë me vlerë, por edhe destinacione potenciale turistike. Nga ana tjetër, nevojitet një regjistrim shkencor pemë-më-pemë dhe një regjistër digjital publik me ID, koordinata dhe datim laboratorik për të certifikuar këta ullinj.

 

Ku rriten legjendat?

Ku ndodhen ullinjtë më të lashtë të Shqipërisë? Studime vendase dhe vëzhgime lokale tregojnë se dy vatrat kryesore janë rajoni i Tiranës dhe rajoni i Vlorës, pa përjashtuar edhe Beratin, Lezhën e Krujën.

Në zonat e Tiranës (Petrelë, Lanabregas, Tufinë, Ndroq, Prezë, Brar, Tujan) ka ullinj që mendohet të kenë moshë rreth 2,000 – 3,000 vjet.

“Ullinjtë kurrë nuk mund të vdesin”. Kjo hiperbolë vendase lidhet me aftësinë e ullirit për të rilindur. Edhe kur trungjet shekullorë thahen ose digjen, nga rrënjët nëntokë shpërthejnë fidanë të rinj, duke vijuar jetën e pemës potencialisht pafundësisht. Prandaj vendasit thonë se ulliri “jeton përgjithmonë”.

“Shtegu i Kalasë – Ndroq” kalon përmes ullishtave të vjetër, si dhe në kalanë mesjetare të Varoshit. Gjatë ecjes, me Fisnik Muçën, një zë i rëndësishëm në komunitetin e udhërrëfyesve malor (President i Albanian Mountain Leaders), gjendemi përmes qindra ullinjve të përkulur nga shekujt.

Fisniku na tregon se disa nga ullinjtë rreth Ndroqit mund të jenë 2,000–2,500 vjeç, ndërsa edhe më të vjetër ndodhen në afërsi të Malit të Dajtit dhe fshatit Tujan. Këta gjigantë të gjelbër kanë përballuar ndryshime klimatike të shumta ndër shekuj.

Por duhet theksuar se ende nuk ka një projekt të mirëfilltë, në mënyrë që këto pemë të kenë datimin dhe certifikimin e tyre.

Përtej Tiranës, Berati është një tjetër vatër historike e ullirit. Jo rastësisht, varieteti kryesor autokton quhet “Ulliri i Beratit”. Në fshatin Drobonik ndodhet një ulli monumental, i cili njihet si “Ulliri i Palikështit (Drobonikut)”.

Kjo pemë është shpallur Monument Natyror dhe pretendohet se është mbi 2000-vjeçare. Media lokale e ka quajtur madje “ulliri më i vjetër në Ballkan” (2,000-vjeçar).

Kjo mund të jetë e diskutueshme, por gjithsesi tregon reputacionin që ka Berati për ullinjtë antikë. Në kalanë e Beratit dhe përreth saj ka qindra ullinj të moçëm, disa ndoshta të mbjellë që në kohën e Bizantit.

Gjithashtu, brigjet e Vlorës dhe Himarës janë të njohura për ullishta të stërlashta. Në Kaninë (fshat mbi qytetin e Vlorës) thuhet se ullishtat datojnë nga koha e Pirros së Epirit. Në Qeparo e Borsh, në bregdetin e Himarës, tarracat e gurta janë ende të mbuluara me ullinj shekullorë të trashëguar brez pas brezi.

Në Krujë e Lezhë, klima më e butë mesdhetare në shpatet kodrinore ka favorizuar po ashtu ullinj të vjetër. Në Kurbin (Laç) përmenden disa pemë ulliri me moshë të madhe, zona e Laçit mund të ketë ullinj mbi 2000-vjeçarë, ndonëse dhe kjo kërkon verifikim.

 

Hartë orientuese e zonave me ullinj të vjetër në Shqipëri. Pikat shënojnë zonat me ullinj të vjetër pretendentë dhe/ose monumente natyre. Vendndodhjet janë të përafërta.

 

Disa guida dhe entuziastë pohojnë se në Shqipëri ka rreth 16 000 ullinj mbi 1500 vjeç; shpesh thuhet se shumë prej tyre kanë qenë tashmë të vjetër edhe në kohën e Skënderbeut (shek. XV).

Ndonëse kjo shifër duhet konfirmuar, fakti është që shumë ullinj të Shqipërisë i kanë rrënjët në antikitetin e vonë dhe mesjetën e hershme.

Këto pemë janë dëshmitarë të heshtur të historisë. Kanë përballuar luftërat osmane, kanë ushqyer kryengritësit me vajin e tyre dhe kanë vazhduar ciklin stinë pas stine, pavarësisht ndryshimeve të kufijve dhe popullsive.

Fisniku vë në dukje se publiku dhe turistët vuajnë nga mungesa e informacionit për këta ullinj monumentalë. Ai thekson se shumë prej këtyre pemëve gjenden në prona private ose komunitete të vogla dhe nuk kanë tabela apo të dhëna informuese.

“Vizitorët kalojnë pranë një ulliri 2000-vjeçar dhe nuk e marrin vesh kurrë”.

Po ashtu, Muça nënvizon se ndryshimet klimatike aktuale, thatësirat e zgjatura, verat më të nxehta, janë sfida të reja për këta “pleq të gjelbër”, por fakti që ata kanë mbijetuar ndryshime të mëdha klimatike në të kaluarën i bën relativisht të qëndrueshëm.

Këto pemë duket sikur kanë “imunitet historik”, por pa mbrojtje ligjore dhe pa kujdesin e duhur, edhe ato mund të pësojnë dëme nga aktiviteti njerëzor.

 

Nga ligjet te realiteti: sa funksionon mbrojtja?

Mbrojtja e ullinjve shekullorë në vendin tonë mbështetet kryesisht te koncepti “Monument Natyror”. Sipas ligjit për zonat e mbrojtura, një pemë me rëndësi të veçantë shkencore ose estetike mund të shpallet monument natyre me vendim të Këshillit të Ministrave.

Aktualisht, disa ullinj individualë gëzojnë këtë status (p.sh. Ulliri i Qejfit në Elbasan, Ulliri i Drobonikut në Berat). Por listimi është i pjesshëm, udhëzimet teknike mungojnë dhe nuk ka ligj të posaçëm për drurë të vjetër (mbrojtje automatike sipas moshës/dimensionit).

Politikat bujqësore, përmes subvencioneve, nxisin mbjelljet e reja; megjithatë, nuk parashikohet kompensim kur hiqen ullinj të vjetër jo të listuar si “Monument Natyror”. Statistikat kombëtare raportojnë miliona rrënjë në prodhim pa dalluar mbjelljet e reja nga ekzemplarët shekullorë.

Në Greqi, tradita e ruajtjes është e thellë që nga antikiteti, ndërsa theksi është te ruajtja e pemëve ekzistuese dhe lejet strikte për ndërhyrje.

Ruajtja dhe menaxhimi i ullinjve vlerësohen si pjesë e identitetit kulturor dhe peizazhit në këtë shtet. Në ishullin e Kretës, disa pemë ulliri mijëravjeçare kanë status të ngjashëm me monumentet kulturore dhe mbrohen nga autoritetet vendore.

Ndërsa në Ulqin, Mal i Zi, ullishta e Valdanosit është simbol i trashëgimisë për Ulqinin, me rreth 18 mijë rrënjë ulliri.

Megjithëse zona ka statusin e peizazhit kulturor, shembujt e lejeve të kufizuara brenda ullishtës tregojnë se statusi formal nuk mjafton pa rregulla të qarta zbatimi dhe kontroll real në terren. Në Ulqin, reagimi i komunitetit lokal ka qenë thelbësor për të frenuar betonizimin.

 

Ekonomia dhe “Made in Albania”

Shqipëria ka miliona pemë ulliri në prodhim. Sipas INSTAT, prodhimi kombëtar ka pasur një trend rritës afatgjatë që prej fundviteve ’90, me nivel shumë të lartë në 2023 – 2024.

Kjo bazë prodhuese, e konsoliduar vitet e fundit, ka mbështetur një ritëm të ri zhvillimi në tregti.

Për shembull, në 2017, Shqipëria eksportoi vetëm 113 tonë vaj ulliri, ndërsa në 8-mujorin e parë 2023 u eksportuan rreth 4,400 tonë (kryesisht drejt Italisë).

Rritja e eksporteve po ecën krah për krah me përpjekjet për përmirësim cilësie. Prodhuesit shqiptarë historikisht kanë nxjerrë vaj të mirë (i përmendur që në kohët e Apolonisë), por shpesh u mungonte standardizimi dhe certifikimi.

Tani, falë kooperativave të grumbullimit dhe investimeve në minifabrika moderne (p.sh. në Zadrimë, Berat, Vlorë) që plotësojnë standardet e BE-së, shumë marka lokale kanë marrë certifikata BIO/organike, sidomos për varietete autoktone si Kalinjoti (Vlora) dhe Krypsi i Beratit.

Një hap i arsyeshëm përtej teknologjive të larta është krijimi i markave kolektive rajonale, p.sh. “Made in Berat” ose “Ulliri i Zadrimës”. Këto diferencime cilësore e gjeografike mund të rrisin çmimin mesatar të vajit shqiptar, historikisht i ulët për shkak të marketingut të dobët.

Edhe pse jo shumë produktivë, ullinjtë e moçëm kanë vlerë ekonomike përmes turizmit dhe markës. Në Maltë, vaji nga ullinjtë 2000-vjeçarë “Bidni” shitet si suvenir unik me çmim shumë të lartë dhe të ardhurat shkojnë pjesërisht për mirëmbajtjen e pemëve.

Shembull ky i një agroturizmi të qëndrueshëm. Në Greqi e Itali përdoret gjurmueshmëria “nga pema në shishe”. Një stampë “Made in Albania” me QR në etiketë mund të lidhë lotin me ullishtën, varietetin dhe parametrat e cilësisë.

 

Turizmi i ullirit

Turizmi i qëndrueshëm në Shqipëri ka nisur të diversifikohet. Përveç plazheve dhe alpeve, tani flitet edhe për turizmin agrar dhe kulturor.

Krahas vizitave në kantina vere dhe ferma, tani edhe ullishtat e vjetra po tërheqin vëmendjen. Në këtë kontekst, ulliri po shndërrohet në një atraksion më vete.

Shtegu tematik i Ndroqit, ngjitet drejt kalasë së Varoshit. Udhërrëfyesit (shpesh nga grupet e guidave malore) e kanë integruar historinë e ullinjve në tregimet e tyre. Vizitorët informohen se do t’i shoqërojnë pemë ulliri shumëshekullore gjatë ngjitjes.

Disa prej ullinjve këtu vlerësohen rreth 500–600-vjeçarë (bazuar në trashësinë dhe gojëdhënat lokale). Për shembull, pranë rrënojave të kalasë së Varoshit, gjendet një trio ullinjsh të mëdhenj, që sipas banorëve datojnë nga koha e princërve Topiaj (shek. XIV).

Krahas Ndroqit, në zonën e Tiranës, një tjetër shteg tematik është në fshatin Marikaj, ku ndodhet edhe ullishta shekullore e Subashëve. Në Marikaj, Fabrika e Vajit “Subashi” është një impiant modern që u lehtëson fshatarëve përpunimin e vajit.

Ajo funksionon gjithashtu edhe si qendër vizitore dhe edukative, ku vizitorët mund të informohen për ullinjtë e vjetër të zonës, të ndjekin procesin e nxjerrjes së vajit dhe të bëjnë degustim të vajit.

Po ashtu, mund të vizitohen fshatrat nën malin e Dajtit (p.sh. Tujan, Brar), ku gjenden disa nga ullinjtë më të lashtë pranë Tiranës, si dhe punishte tradicionale vaji.

 

Në ullishtat e Marikajt takojmë Mehdiun, banor i zonës, që na tregon ullirin e moçëm ~2 500-vjeçar. Foto: Autori.

 

Në Berat mund të vizitohen ullinjtë monumentalë të Palikështit/Drobonikut (5 km nga qyteti), ku turistët mund të shohin ullirin 2000-vjeçar dhe të mësojnë mbi legjendat lokale.

Gjithashtu, edhe ullishtat e vjetra në fshatin Kapinovë, janë tërheqës për vizitorët.

Një vizitë në një kooperativë vaji ku mund të shpjegohet procesi i përpunimit modern dhe historik shoqëruar me degustim “vaj ekstra i virgjër Berati” dhe produkte të tjera lokale, mund të plotësojë më së miri një tur tematik në këtë zonë.

Vlora dhe “Riviera e Ullirit” ofrojnë një itinerar tërheqës nga Kanina në Himarë. Duke filluar nga kalaja e Kaninës me ullishta të lashta përreth, vazhdohet më tej nëpër bregdetin e jugut, ku mund të përshkruhen shtigjet që kalojnë mes ullishtave të vjetra përmes fshatrave Dhërmi, Vuno, Himarë e Qeparo, me qindra ullinj të vjetër.

Ndërsa në Borsh mund të vizitohen punishtet e vajit. Edhe zona e Sarandës, nga Delvina e deri në Butrint, ofron një kombinim të ullinjve të moçëm me kulturën e lashtë.

Këto itinerare promovojnë idenë se Riviera Shqiptare krahas detit, ofron edhe kodrina ullinjsh mijëravjeçarë.

Në veri të Shqipërisë mund të vizitohen ullishtat e moçme rrëzë malit të Krujës, përreth kalasë, që zënë fill shumë kohë para periudhës së Skënderbeut. Shumëkush mendon se veriu i Shqipërisë nuk lidhet me ullirin.

Por zona e Kurbinit, Lezhës e deri në Zadrimë, ka një klimë mesdhetare përgjatë Drinit që e mundëson rritjen e tij. Dhe këtu ndodhen disa prej ullishtave më të vjetra të veriut, të cilat mund të vizitohen së bashku me agroturizmet e zonës.

 

“Ulliri më i vjetër në Shqipëri?”

Me Fisnikun, në shtegun tematik të ullinjve në kodrat e Ndroqit, teksa kalojmë pranë fshatit Kërçukje, vizitojmë një pemë ulliri mjaft të moçme, në pronësi të familjes Hasa, e cila mendohet të jetë 2000-2500-vjeçare. Iu deshën 11 personave nga grupi ynë, që ta rrethonim trungun e saj duke mbajtur duart të lidhura me njëri-tjetrin.

Dhe vetvetiu lind një pyetje që ngjall kureshtje. Cilët janë ullinjtë më të vjetër në vendin tonë? Për ta shpallur një pemë “më të vjetrën”, do të duhej kombinimi i disa kritereve si analiza dendrokronologjike, datimi me radiokarbon, madhësia e trungut (diametër/cirkumferencë) si dhe dokumente historike/triangulim.

Në praktikën vendase përdoret shpesh regresioni ortogonal, një përafrim statistikor që, mbi parimin “sa më i madh trungu, aq më e vjetër pema”, kalibron marrëdhënien madhësi-moshë duke korrigjuar pasaktësitë në të dyja matjet.

Prof. Hairi Ismaili, një nga studiuesit më të njohur të ullirit në Shqipëri, rendit, ndër të tjerë, disa grupe pretendente, si ullinjtë nga më të vjetrit në Shqipëri.

(1) Ullinjtë në Brret (Gërdec–Palaq), me moshë të vlerësuar rreth ~3 000 vjet;

(2) Ullinjtë e Tujanit (nën Dajt), ~2 500–3 000 vjet;

(3) Ullinjtë e Tufinës, ~2 500–3 000 vjet;

(4) Ullinjtë e Pulazeqinit (Vlorë), ~1 500–2 000+ vjet;

(5) Gruemirë (Malësia e Madhe), ~2 000+ vjet; (6) Kallmet (Lezhë), ~1 200+ vjet.

Datimi pemë-më-pemë, me kombinimin e këtyre kritereve dhe certifikimin individual, do të ishte i domosdoshëm. Deri atëherë, do të vazhdojmë të kemi disa “më të vjetër” dhe kjo s’është keq, sepse mban gjallë debatet dhe interesin.

“Ulliri më i vjetër”, përtej statistikave dhe rekordeve është simbol i lidhjes sonë me të shkuarën. Identifikimi dhe konfirmimi i vjetërsisë së këtyre pemëve krijon një urë të drejtpërdrejtë midis nesh dhe lashtësisë.

Ullinjtë e moçëm të Shqipërisë janë një pasuri e shumëfishtë: natyrore, kulturore, historike, ekonomike dhe shpirtërore dhe mund të bëhen shtylla të zhvillimit të qëndrueshëm si destinacione, si markë kombëtare dhe si thesar historish të gjurmueshme. /monitor.al

Etiketat: moshashqiperiaullinjtevjeter
Artikulli para

Gjykata rrëzon Shqipërinë, Becchetti drejt ekzekutimit të gjobës 110 milionë euro

Artikulli pas

ERRU refuzon shtrenjtimin për herë të dytë të ujit në Kukës: Aplikoni sërish!

SkyWeb

SkyWeb

Nga Kategoria

Mega operacioni, pse Netflix dha 72 miliardë USD për Warner Bros
Ekonomi

Mega operacioni, pse Netflix dha 72 miliardë USD për Warner Bros

6 Dhjetor, 2025
Shqiptarët nuk shohin alternativa të tjera investimi të PARAVE përveç depozitave, shifër REKORD në banka
Ekonomi

Rritja e pagave përkthehet në më shumë të ardhura tatimore në buxhet

6 Dhjetor, 2025
Sejko: Zhvillimi i Inteligjencës Artificiale, sfidë e re për sistemin financiar
Ekonomi

Shqipëria përshpejton modernizimin e sistemeve të pagesave: Fokus te digjitalizimi, SEPA dhe pagesat 24/7

6 Dhjetor, 2025
ERRU refuzon shtrenjtimin për herë të dytë të ujit në Kukës: Aplikoni sërish!
Ekonomi

ERRU refuzon shtrenjtimin për herë të dytë të ujit në Kukës: Aplikoni sërish!

6 Dhjetor, 2025
Gjykata rrëzon Shqipërinë, Becchetti drejt ekzekutimit të gjobës 110 milionë euro
Aktualitet

Gjykata rrëzon Shqipërinë, Becchetti drejt ekzekutimit të gjobës 110 milionë euro

6 Dhjetor, 2025
STRATEGJIA/ S’do të prekim më para me dorë, vetëm në llogari: Si do të aplikohet “Cashless Albania 2030”
Ekonomi

STRATEGJIA/ S’do të prekim më para me dorë, vetëm në llogari: Si do të aplikohet “Cashless Albania 2030”

6 Dhjetor, 2025
Artikulli pas
ERRU refuzon shtrenjtimin për herë të dytë të ujit në Kukës: Aplikoni sërish!

ERRU refuzon shtrenjtimin për herë të dytë të ujit në Kukës: Aplikoni sërish!

Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Të Përzgjedhura

Gripi po përhapet më herët në Europë për shkak të një varianti të ri
Shëndet

Gripi po përhapet më herët në Europë për shkak të një varianti të ri

Nga Editor
22 Nëntor, 2025
0

Zyrtarët e shëndetësisë paralajmërojnë për një sezon gripi më të fortë në Europë, pasi një lloj i ri virusi po...

Lexo të plotë
A është bërë fluturimi më i rrezikshëm? STATISTIKAT dhe teknologjia thonë të KUNDËRTËN

Shqipëria, 166% më shumë fluturime komerciale në qershor sesa para pandemisë

21 Korrik, 2025
Policia aksion ndaj një grupi kriminal në Elbasan, shoqërohet ish-deputeti dhe investitori strategjik Bujar Muça

Policia aksion ndaj një grupi kriminal në Elbasan, shoqërohet ish-deputeti dhe investitori strategjik Bujar Muça

13 Tetor, 2025
Dyshime për pastrim parash, një kompani fantazmë blen Arena Casino nga Albstar, kush fshihet pas Lake Horizont LLC?

Dyshime për pastrim parash, një kompani fantazmë blen Arena Casino nga Albstar, kush fshihet pas Lake Horizont LLC?

17 Nëntor, 2025
Rikthimi i bujshëm i avionëve me helika

Rikthimi i bujshëm i avionëve me helika

19 Shtator, 2025

Të Fundit

Çfarë është protesta e pizhamave në aeroportet amerikane dhe pse po ndodh ajo

Çfarë është protesta e pizhamave në aeroportet amerikane dhe pse po ndodh ajo

6 Dhjetor, 2025
Mega operacioni, pse Netflix dha 72 miliardë USD për Warner Bros

Mega operacioni, pse Netflix dha 72 miliardë USD për Warner Bros

6 Dhjetor, 2025
Shqiptarët nuk shohin alternativa të tjera investimi të PARAVE përveç depozitave, shifër REKORD në banka

Rritja e pagave përkthehet në më shumë të ardhura tatimore në buxhet

6 Dhjetor, 2025
Sejko: Zhvillimi i Inteligjencës Artificiale, sfidë e re për sistemin financiar

Shqipëria përshpejton modernizimin e sistemeve të pagesave: Fokus te digjitalizimi, SEPA dhe pagesat 24/7

6 Dhjetor, 2025
  • Kreu
  • Aktualitet
  • Fokus
  • Ekonomi
  • Turizëm
  • Aviacion
  • Shëndet
  • OP-ED
  • Kush jemi ne
  • Terms and conditions
  • Privacy Policy

© 2025 SkyWeb.al - Zhvilluar nga E/Digital Studio

Nuk u gjet asnjë rezultat
Shiko të gjitha
  • Kreu
  • Aktualitet
  • Fokus
  • Ekonomi
  • Turizëm
  • Aviacion
  • Shëndet
  • OP-ED

© 2025 SkyWeb.al - Zhvilluar nga E/Digital Studio

Mirësevini!

Hyni në llogarinë tuaj.

Keni harruar fjalëkalimin?

Riktheni fjalëkalimin

Ju lutem shkruani username ose email

Hyr