Polonia i ka dhënë zyrtarisht fund prodhimit të veshjeve prej gëzofi. Presidenti Karol Nawrocki nënshkroi të martën ligjin që ndalon përdorimin e gëzofit, duke e bërë vendin anëtarin e 18-të të Bashkimit Evropian që i jep fund kësaj praktike, e cila çdo vit shkaktonte vdekjen e rreth tre milionë vizone, dhelprave, qenve rakunë dhe çinçileve.
Ky vendim prek drejtpërdrejt një sektor ku Polonia ishte prodhuesja më e madhe në Evropë dhe e dyta në botë pas Kinës. Aktualisht, në vend funksionojnë 281 ferma gëzofi: 169 ferma vizonësh, 37 ferma dhelprash, 11 ferma për qen rakunë dhe 64 ferma çinçilash.
Ligji u miratua më herët nga Sejmi dhe Senati, falë një konsensusi ndërpartiak. Kundërshtimi i vetëm erdhi nga partia e ekstremit të djathtë “Konfederacja”, sipas “Notes from Poland”.
Projektligji parashikon ndalimin e menjëhershëm të hapjes së fermave të reja dhe mbylljen e të gjitha fermave ekzistuese deri më 31 dhjetor 2033. Për të nxitur mbylljet e parakohshme, parashikohet një skemë kompensimi: fermerët që ndërpresin aktivitetin deri më 1 janar 2027 do të përfitojnë deri në 25% të të ardhurave mesatare të viteve 2020–2024.
Industria e gëzofit në Poloni ishte në rënie prej vitesh. Sipas “Business of Fashion”, eksportet e gëzofit të vizonit kanë rënë nga 402 milionë euro në vitin 2015 në vetëm 71 milionë euro në vitin 2024, ndërsa numri i fermave të vizonit është tkurrur nga 810 në vitin 2015 në 281 aktualisht.
Sondazhet tregojnë se 66% e qytetarëve polakë mbështesin vendimin e qeverisë për ndalimin e gëzofit. /Skyweb.al
















