Puna e gazetarëve në të gjitha trevat shqipfolëse nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut u “kurorëzua” sot me çmimet e dedikuara për disa prej zhanreve nga ekonomia, te sporti, çmimet e raportimit më të mirë, çmimi i karrierës dhe ai special.
Në një ceremoni të zhvilluar sot në ambasadën gjermane në Tiranë, ku të pranishëm ishin kryetari i Kuvendit Niko Peleshi, deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku, ambasadori gjerman Karl Bergner dhe disa personalitete të fushës së gazetarisë në vend, u vlerësuan me çmime disa gazetarë.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi tha se “Shqipëria ndodhet në një moment të rëndësishëm të rrugëtimit historik, pranë BE-së”.
“Kjo jo vetëm për institucionet, por edhe për shoqërinë shqiptare dhe gazetarinë. BE është një hapësirë e madhe, të cilën duhet ta shfrytëzojmë, ta njohim dhe t’ia sjellim publikut. Sfidat që sjell BE, standardet e reja që duhet të krijojmë në politikë, në shoqëri, sipërmarrje janë shumë të mëdha dhe kanë nevojë të njihen. Me shqetësim konstatoj se BE-ja, nga shoqëria e gjerë, nga qytetarët vazhdon të perceptohet si punë e politikanëve”, tha ai.
“Kjo mund të jetë një pjesë teknike e këtij procesi, pjesë e integrimit duhet të bëhet e gjithë shoqëria dhe këtu gazetaria ka një rol të jashtëzakonshëm. Një element ku duhet të bëhet më shumë është transparenca, pra duhet të jemi më të hapur, ndaj jush dhe ta bëjmë informacionin më të aksesueshëm. Në Kuvend po punojmë për ndërtimin e një qendre mediatike në mënyrë që gjithçka që ndodh në Kuvend, të jetë i aksesueshëm në kohë reale nga ju”, tha Peleshi.
Ndërsa, deputetja e PD, Jorida Tabaku u shpreh se sot është shumë e vështirë të bëhet gazetari cilësore.
“Në pozicionin që unë kam, si kryetare e Komisionit të Medias, kemi nisur punën për disa iniciativa ligjore të cilat shpresoj të përmirësojnë mjedisin mediatik, por edhe mbrojtjen e gazetarëve. Duke nisur nga ndryshimi i kodit sa i përket mbrojtjes nga kërcënimi, deri te dekriminalizimi i shpifjes”, tha Tabaku.
Ambasadori i Gjermanisë në vendin tonë, Karl Bergner, tha gjatë fjalës së tij përshëndetëse, se “Gjermania i mbështet iniciativa të tilla jo vetëm në kuadër të integrimit në Bashkimin Evropian”.
“Gjermania mbështet edhe iniciativa të tjera përmes partnerëve të vet siç është GIZ në rajon. Përmes tyre, ne nxisim jo vetëm përmbajtjen, por edhe elementin komercial të këtyre strukturave mediatike. Në janar të vitit tjetër do të kemi të parën thirrje Open Call në kuadër të këtij konkursi. Pa punën e gazetarëve, një Shqipëri në perspektivë dhe përparuese do të ishte e pamundur”, tha Bergner.
Ndërsa, kryetari i UGSH-së, Aleksandër Çipa u shpreh se organizata që ai drejton është më masivja në komunitetin e gazetarëve shqiptarë në hapësirën shqiptarë.
“Me një kontribut që po shkon në dy dekada, UGSH ka qenë një zë i maturuar dhe reagues në kohën e duhur. UGSH vlerëson të cilësishmit, ndërsa në jo pak raste ka pasur dhe inkurajime ndërkombëtare dhe nga partnerë të huaj”, tha Çipa.
Çmimi i “Gazetarit sportiv të vitit” për gazetarin e ndjerë Saimir Demi, u tërhoq nga familjarët e tij. Gazetari i njohur sportiv, Saimir Demi u nda nga jeta në moshën 57-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë, në mars të këtij viti.
Gjithashtu, çmimi “Karriera II”, i akorduar për gazetarin e ndjerë Artur Zheji, u tërhoq nga bashkëshortja e tij. Gazetari, analisti dhe ish-drejtori i përgjithshëm i ATSH-së, u nda nga jeta në moshën 64-vjeçare në muajin gusht, në qytetin e Sarandës, ku ndodhej për pushime së bashku me familjen e tij.
Çmimet e gazetarëve për vitin 2025:
Fitues të konkursit “Vangjush Gambeta” për gazetarët e ekonomisë:
Eliza Gjediku
Ilda Hoxha
Uran Haxha
Anëmsha Shabani
Çmimi “Raportimi më i mirë i vitit”– Florian Goga
Çmimi “Reporteri më i mirë i vitit”– Eraldo Harlicaj
Çmimi special – Besim Dybeli
Çmimi “Gazetari sportiv i vitit”– Saimir Demi
Çmimi i “Karrierës I” – Nazim Rashidi
Çmimi i “Karrirës II”– Artur Zheji























