Shkalla e lindjeve në Kinë ka arritur nivelin më të ulët që nga themelimi i Republikës Popullore në vitin 1949, sipas një raporti të publikuar të hënën.
Sipas të dhënave zyrtare të Byrosë Kombëtare të Statistikave, vitin e kaluar u regjistruan vetëm 5.6 lindje për çdo 1.000 banorë. Numri i përgjithshëm i foshnjave të lindura ra në 7.9 milionë, që përfaqëson një ulje të ndjeshme prej 1.6 milionësh krahasuar me vitin pararendës – rënia më e madhe që nga viti 2020, raportoi Bloomberg.
Si pasojë, popullsia totale e Kinës u tkurr me 3.4 milionë banorë, duke shënuar vitin e katërt radhazi të rënies demografike.
Këto shifra përbëjnë një goditje serioze për përpjekjet e qeverisë së Pekinit për të ndërtuar një shoqëri “miqësore ndaj lindjeve” nën udhëheqjen e presidentit Xi Jinping, pavarësisht politikave që përfshijnë subvencione financiare, zgjatje të lejes prindërore dhe stimuj të tjerë.
Në vitin 2024, Kina regjistroi gjithashtu numrin më të ulët të martesave që nga viti 1980. Vetëm 6.1 milionë çifte u martuan, një rënie prej 20.5 për qind krahasuar me vitin 2023, ndërkohë që shkalla e divorcit u rrit me 1.1 për qind.
Sfidat demografike janë përkeqësuar më tej për shkak të normave të ulëta të lindjeve, të ndikuara nga ulja e numrit të grave në moshë riprodhuese, si dhe nga prirja e brezave të rinj për të vonuar martesën dhe krijimin e familjes për arsye ekonomike dhe sociale.
Edhe pse autoritetet kineze kanë ndërmarrë masa për të frenuar rënien e martesave dhe lindjeve, deri më tani këto politika nuk kanë dhënë rezultate të dukshme.
Popullsia e Kinës në vitin 2024 ishte rreth 1.4 miliardë banorë, duke shënuar vitin e tretë radhazi të rënies që nga viti 2021. /skyweb.al
















