Këshilli i Ministrave ka miratuar krijimin e bazës së re shtetërore të të dhënave “Regjistri Qendror i Bazës së të Dhënave të Pasurive të Paluajtshme”, e njohur si kadastra fiskale, me qëllim administrimin e plotë dhe të unifikuar të taksës mbi ndërtesën në të gjithë vendin.
Sipas vendimit, objekti kryesor është ngritja e një sistemi të centralizuar që do të mbledhë dhe menaxhojë të gjitha të dhënat e pasurive të paluajtshme, si dhe përcaktimi i rregullave për përdorimin e tyre në funksion të llogaritjes, mbledhjes dhe kontrollit të detyrimeve tatimore.
Regjistri do të krijohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe do të administrohet nga vetë Drejtoria e Taksës së Pasurisë. Qëllimi është që taksa mbi ndërtesën të menaxhohet mbi të dhëna të sakta, të përditësuara dhe të unifikuara në nivel kombëtar.
Në këtë regjistër do të përfshihen të dhëna të detajuara për ndërtesat dhe njësitë e tyre, pronarët, zhvilluesit dhe përdoruesit, zonat e vlerave, parcelat, blloqet kadastrale, kufijtë administrativë, si dhe çmimet referuese mbi të cilat llogaritet taksa. Po ashtu, sistemi do të mbajë informacion për bazën e taksës, shkallët e aplikueshme për banim, veprimtari ekonomike apo ndërtesa të papërfunduara, si dhe për gjobat, kamatëvonesat dhe pagesat e kryera.
Vendimi parashikon që në regjistër të evidentohen edhe përjashtimet nga taksa, lehtësimet e pjesshme, rimbursimet e kryera dhe faktorët e prezumuar që përdoren kur mungojnë të dhënat e nevojshme për llogaritjen e detyrimit.
Një pjesë e rëndësishme e sistemit lidhet me identifikimin e saktë të pasurive, përfshirë koordinatat gjeografike, adresat, sipërfaqet, statusin e ndërtimit, privatizimin e banesave, si dhe lidhjen me lejet e ndërtimit përmes sistemit elektronik e Leje.
Regjistri do të përmbajë edhe të dhëna të plota për taksapaguesit, si individë apo persona juridikë, duke përcaktuar qartë rolin e tyre si pronar, zhvillues apo përdorues, si dhe pjesën takuese për secilën pasuri.
Sipas vendimit, sistemi do të ndërveprojë me një numër të madh bazash të tjera shtetërore të të dhënave, përfshirë regjistrin e pasurive të paluajtshme, gjendjen civile, adresat, regjistrin tregtar, gjeoportalin kombëtar, tatimet, sigurimet shoqërore, ndihmën ekonomike, operatorin e shpërndarjes së energjisë elektrike dhe sistemin e lejeve të ndërtimit.
Bashkitë do të kenë akses të drejtpërdrejtë për regjistrimin, korrigjimin dhe përditësimin e të dhënave për pasuritë që ndodhen në territorin e tyre, ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë do të ketë rol drejtues, monitorues dhe mbështetës në funksion të zbatimit të njëtrajtshëm të taksës në të gjithë vendin.
Vendimi parashikon gjithashtu që çdo veprim në sistem të regjistrohet përmes gjurmës së auditit, me qëllim garantimin e transparencës dhe përdorimit të të dhënave vetëm për qëllime ligjore dhe funksionale.
Sipas dispozitave përfundimtare, bashkitë do të jenë të detyruara të administrojnë taksën mbi ndërtesën përmes këtij regjistri duke filluar nga data 10 shkurt 2026.
Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, shfuqizohet akti i vitit 2018 për kadastrën fiskale, duke hapur rrugën për një sistem të ri, më të gjerë dhe më të centralizuar të administrimit të pasurive dhe taksave vendore.
Gjithçka ndodh teksa E-Albania dhe Diella kanë disa javë që nuk ofrojnë shërbim të mirëfilltë për përdoruesit duke bllokuar dita ditës punën e bizneseve. /skyweb.al
















