Zhvendosja e Kadastrës së Vlorës në Tiranë ka hapur një debat të fortë në qytet, pas kundërshtimit të punonjësve dhe shqetësimit të qytetarëve se mund të mbeten pa shërbim.
Prej dy ditësh, stafi i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Vlorë ka pezulluar punën në shenjë proteste, ndërsa institucioni ka reaguar zyrtarisht duke sqaruar se procesi i transferimit nuk është i ri dhe ka nisur që pesë vite më parë.
Sipas ASHK, riorganizimi i drejtorive vendore ka filluar që në vitin 2021 me transferimin e Durrësit dhe Krujës, për të vijuar më pas me Shkodrën, Kavajën, Kamëz Vorë dhe së fundmi Vlorën. Institucioni thekson se ky model organizimi synon optimizimin e burimeve njerëzore, unifikimin e praktikave të punës dhe përshpejtimin e trajtimit të dosjeve.
Në reagimin zyrtar, Kadastra sqaron se të gjitha shërbimet për qytetarët janë tashmë të digjitalizuara dhe kryhen përmes portalit e Albania.
Aplikimet bëhen online dhe shërbimet ofrohen drejtpërdrejt në profilin elektronik të qytetarit, ndërsa dokumentacioni fizik dërgohet përmes Postës Shqiptare pranë drejtorisë përkatëse, pavarësisht vendndodhjes së saj.
Sipas ASHK, falë sistemeve të avancuara, përpunimi ligjor dhe reflektimi hartografik mund të kryhen pa qenë e nevojshme prania fizike e punonjësve në territorin ku ndodhet prona.
Institucioni siguron se ky riorganizim nuk do të ndikojë negativisht në shërbimin për banorët e Vlorës, por përkundrazi synon rritjen e efikasitetit, përshpejtimin e legalizimeve dhe përfundimin e procesit të regjistrimit fillestar në zonat e mbetura të qarkut.
Ndërkohë, situata në terren mbetet e tensionuar. Punonjësit e Kadastrës së Vlorës janë njoftuar më 23 janar për zhvendosjen deri në fund të muajit, vendim i firmosur nga drejtoresha e përgjithshme e ASHK, Lorena Goxhobelli.
Ata kanë reaguar duke kërkuar transparencë, rishikim të vendimit dhe dialog institucional, duke deklaruar se njoftimi ishte i papritur dhe pa sqarime të mëtejshme.
Në këtë klimë, një ditë më parë u shkarkua edhe nëndrejtori i ASHK Vlorë, Sokol Shehaj, pasi iu bashkua peticionit të firmosur nga 55 punonjës që kundërshtojnë largimin e strukturës nga qyteti.
Paralelisht, në Kadastrën e Vlorës ka mbërritur edhe një urdhër për mbledhjen dhe përgatitjen e dosjeve të pronave për transferim drejt Tiranës.
Sipas informacionit, disa prej dosjeve pritet të dërgohen edhe pa procesverbal, për shkak të nxitimit të kërkuar nga institucioni. Ky urdhër ka shtuar më tej pakënaqësinë e punonjësve, të cilët po përgatisin një shkresë zyrtare kundërshtuese.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës deklaron se mbetet e angazhuar për të ofruar shërbime më të shpejta, transparente dhe të besueshme për qytetarët, ndërsa nga ana tjetër punonjësit kërkojnë ndalimin e procesit dhe hapjen e një dialogu për mënyrën dhe kohën e realizimit të zhvendosjes. /skyweb.al
















