Gjatë një takimi me fermerët në Divjakë, të zhvilluar sot, më 30 janar, kryeministri Edi Rama vuri theksin te rëndësia e mbështetjes financiare dhe bashkëpunimit në sektorin e bujqësisë. Ai bëri të ditur se për këtë sektor janë në dispozicion 250 milionë euro, një fond që, në skenarin më të mirë, mund të arrijë deri në 1 miliard euro, duke krijuar mundësi për zhvillimin e projekteve të qëndrueshme dhe fitimprurëse.
Rama theksoi se problemi kryesor nuk është mungesa e fondeve, por mungesa e informacionit dhe e përgatitjes për t’i përfituar ato. “Paratë janë, por problemi është se nuk dihet si të thithen”, u shpreh ai, duke nënvizuar nevojën për aftësi në përfitimin e fondeve të Bashkimit Evropian dhe kredive me garanci shtetërore. Sipas kryeministrit, fermerët duhet të përgatisin projekte të qarta dhe të strukturuara mirë. “Duhet një dosje me një projekt të vlefshëm, që të tregojë pse duhet financuar”, tha ai.
Kreu i qeverisë nënvizoi gjithashtu se puna individuale nuk mjafton dhe se bashkëpunimi dhe organizimi janë thelbësore. Ai u bëri thirrje fermerëve të krijojnë kompani të përbashkëta për të pasur akses në financimet e disponueshme. Në këtë kuadër, Rama theksoi rolin e bashkive, duke kërkuar që ato të jenë më aktive në mbështetjen e fermerëve dhe në koordinimin e projekteve konkrete, në mënyrë që fondet të përdoren sa më efektivisht. /skyweb.al















