Një draft i hedhur për konsultim publik lidhur me ndryshimet në vendimin e Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e kritereve, procedurave dhe dokumentacionit për hyrjen, qëndrimin dhe trajtimin e të huajve në Republikën e Shqipërisë” parashikon një sërë rregullimesh të reja, me fokus unifikimin e procedurave, lehtësimin e aplikimeve dhe përafrimin me standardet europiane.
Sipas projektaktit, synohet unifikimi i procedurave për aplikimin për vizë dhe leje qëndrimi, duke i kaluar ato kryesisht online. Relacioni shpjegon se aplikimi për vizë do të kryhet elektronikisht, ndërkohë që shtetasi i huaj ndodhet jashtë territorit të Shqipërisë, përmes sistemit elektronik të vizave, ose personalisht në misionet diplomatike dhe postet konsullore. Qëllimi i këtyre ndryshimeve është rritja e transparencës, shmangia e paqartësive dhe ulja e barrës administrative për aplikuesit.
Një tjetër risi e rëndësishme lidhet me përjashtimin nga detyrimi për pajisje me vizë për hyrje dhe qëndrim deri në 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore, për qëllime të barasvlershme me vizën e tipit “C”. Ky përjashtim do të vlejë për shtetasit e vendeve të treta që disponojnë vizë të vlefshme me shumë hyrje-dalje ose leje qëndrimi të vlefshme të lëshuar nga një shtet anëtar i Bashkimit Europian. Sipas relacionit, kjo masë synon lehtësimin e lëvizjes së ligjshme dhe harmonizimin e praktikave me standardet europiane, duke pasur parasysh se viza e tipit “C” është viza turistike.
Në dokumentacionin bazë të kërkuar për të gjitha kategoritë e aplikuesve për vizë, është shtuar si kusht paraqitja e lejes së qëndrimit mbi 12 muaj, të lëshuar nga shteti ku aplikuesi ka rezidencën e ligjshme, me vlefshmëri jo më pak se tre muaj përtej afatit të vizës së kërkuar.
Drafti parashikon gjithashtu përmirësime dhe saktësime për kategoritë e vizës së tipit “D” dhe për lejen unike, për shtetasit që i nënshtrohen regjimit të vizave. Në këtë kuadër, është rishikuar dhe përditësuar dokumentacioni i përgjithshëm i kërkuar, me synim rritjen e qartësisë, standardizimin e procedurave dhe trajtimin e unifikuar të aplikimeve.
Një risi e veçantë është shtimi i një kategorie të posaçme dokumentacioni për vizën e tipit “D” për punëtor shtëpie (D/PSH), ku përcaktohen qartë kushtet, kriteret dhe dokumentet e nevojshme, me synim formalizimin e marrëdhënieve të punës dhe mbrojtjen e të drejtave të punëmarrësve. Po ashtu, është shtuar dokumentacion shtesë për vizën e tipit “D” për sportistë (D/SP), duke kërkuar vërtetim të regjistrimit të shtetasit të huaj në federatën sportive përkatëse në vendin e origjinës, për të shmangur keqpërdorimet e kësaj kategorie.
Për vizat për motive studimi, projektakti parashikon detyrimin për paraqitjen e një garancie financiare në vlerën e barabartë me 300 mijë lekë.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është shtimi i detyrimit për paraqitjen e certifikatës së gjendjes gjyqësore. Sipas relacionit, dëshmia e penalitetit duhet të jetë e lëshuar jo më herët se gjashtë muaj nga data e aplikimit dhe do të aplikohet për të gjitha kategoritë e lejeve të qëndrimit, me përjashtim të aplikantëve nën moshën 16 vjeç dhe mbi 75 vjeç, duke respektuar parimin e proporcionalitetit dhe mbrojtjen e kategorive vulnerabël.
Ndryshime janë parashikuar edhe për lejen unike si punëtor stinor, ku shtohet kërkesa për dokumentacion që vërteton se shtetasi i huaj plotëson kushtet ligjore për ushtrimin e profesioneve të rregulluara, përmes diplomave, certifikatave profesionale apo referencave përkatëse.
Projektakti saktëson gjithashtu dokumentacionin për lejen unike si punëtor shtëpie, kategori e re e përfshirë në ligjin “Për të huajt” gjatë muajit qershor, si dhe përmirëson dokumentacionin për ripërtëritjen e lejes së përkohshme të qëndrimit të tipit “B”. Po ashtu, janë qartësuar kriteret dhe dokumentet për pajisjen me leje qëndrimi për investitorët e huaj, me synim eliminimin e paqartësive dhe krijimin e një procesi më të parashikueshëm dhe nxitës për investimet.
















