Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar për përfundimin e punimeve në segmentin Librazhd–Përrenjas, në zonën e fshatit Dragostunjë, duke bërë të mundur rikthimin e qarkullimit normal të mjeteve.
Sipas njoftimit zyrtar, pas vlerësimit të situatës së krijuar në këtë segment, janë marrë menjëherë masat e nevojshme në terren për eliminimin e rrezikut. Ndërhyrja ka përfshirë heqjen e masivit që paraqiste rrezik për rënie të pakontrolluar, pastrimin e plotë të sipërfaqes përreth dhe krijimin e një skarpate të qëndrueshme, pa risk për lëvizjen e automjeteve.
Autoriteti Rrugor Shqiptar thekson se ndërhyrja do të rrisë ndjeshëm sigurinë rrugore, do të parandalojë rrëshqitjet dhe rëniet e materialeve inerte, si dhe do të përmirësojë ndjeshëm qarkullimin për banorët e zonës dhe përdoruesit e tjerë të këtij aksi të rëndësishëm kombëtar. /skyweb.al
















