Kryeministri Edi Rama ka dhënë sinjale të qarta se mazhoranca nuk pritet të thërrasë Këshillin e Mandateve për rastin Balluku, pavarësisht kërkesave të opozitës, duke përcaktuar përmes tre pikave qëndrimin politik dhe institucional të shumicës pas shqyrtimit të çështjes në Gjykatën Kushtetuese.
Në një reagim pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Rama artikuloi tre konkluzione që, në thelb, përjashtojnë një veprim parlamentar të menjëhershëm dhe hapin rrugën për ndërhyrje ligjore.
Nga mënyra se si janë formuluar këto pika, kuptohet se mazhoranca synon të garantojë vijimësinë e funksioneve ekzekutive, ndërkohë që drejtësia vijon hetimet pa ndërhyrje politike.
Në pikën e parë, kryeministri thekson se funksionet e padelegueshme kushtetuese nuk mund të pezullohen duke u nisur nga një rast individual.
Sipas tij, pezullimi i një funksioni të tillë paralizon vetë institucionin që ai përfaqëson, duke krijuar një precedent që cenon balancën mes pushteteve.
Pika e dytë lidhet drejtpërdrejt me qëndrimin e mazhorancës ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Rama shprehet se nga deklarata publike e gjykatës rezulton se anëtarët janë unanimë për ekzistencën e problemit, por të ndarë për zgjidhjen.
Për këtë arsye, grupi parlamentar socialist do të angazhohet për ta adresuar situatën përmes ndryshimeve në legjislacion.
Në pikën e tretë, Rama nënvizon se rikthimi i masës i shërben vetëm SPAK-ut, i cili, sipas tij, mund të vijojë hetimet pa asnjë pengesë.
Nga ky formulim kuptohet se, deri në një adresim ligjor të situatës, nuk ekziston urgjencë për të trajtuar kërkesa të tjera procedurale, duke krijuar kushtet që funksionet ekzekutive të vijojnë normalisht deri në një vendim të formës së prerë, nëse një i tillë do të ketë.
Në një sqarim shtesë, kryeministri thekson se SPAK-u nuk cenohet, por mbështetet, ndërsa liria dhe e drejta e çdo prokurori për të hetuar këdo mbeten të garantuara.
Sipas Ramës, ndërhyrja e paralajmëruar synon vetëm garantimin e pavarësisë kushtetuese të pushtetit legjislativ dhe atij ekzekutiv, pa cenuar funksionimin e drejtësisë. /skyweb.al















