Nuk nevojiten vite studimi në konservator për të kapur nuancat e jashtëzakonshme ritmike të veprave të Johann Sebastian Bach. Me sa duket, kjo aftësi shfaqet që në 48 orët e para të jetës, shkruan salute.eu.
Një studim i ri, i realizuar nga studiues të Institutit Italian të Teknologjisë (IIT) dhe i publikuar në revistën PLOS Biology, tregon se truri i njeriut është i lindur i “programuar” për muzikën — ose më saktë, për strukturën e saj themelore: ritmin.
Studimi u drejtua nga Roberta Bianco, profesoreshë e asociuar në Universitetin e Pizës. Gjatë eksperimentit, ndërsa foshnjat flinin thellë, studiuesit u luanin atyre kompozime për piano të Bach-ut. Pa kufje, vetëm me ndihmën e një rrjeti elektrodash EEG, ata regjistruan aktivitetin e trurit të të porsalindurve.
Rezultatet ishin befasuese: sa herë që ritmi i muzikës pësonte një ndryshim të papritur, truri i foshnjave reagonte me një “kulm surprize”.
“Truri i të porsalindurve funksionon si një makinë parashikuese”, shpjegon studiuesja Novembre. Edhe në moshën vetëm dy ditëshe, foshnjat nuk i dëgjojnë tingujt në mënyrë pasive, por përpiqen t’i parashikojnë. Kur ritmi ndryshon papritur, aktiviteti elektrik i trurit të tyre rritet ndjeshëm.
Megjithatë, ky talent muzikor i hershëm ka kufijtë e vet. Të porsalindurit janë të ndjeshëm ndaj ndryshimeve ritmike, por jo ndaj atyre melodike. Studimi tregoi se ata mbeten indiferentë nëse një notë është “e gabuar” apo nëse melodia ndryshon drejtim.
“Kjo aftësi mendojmë se zhvillohet më vonë, në një fazë që ende nuk është përcaktuar saktësisht”, thekson Novembre.
“Ajo që një foshnjë dëgjon fillimisht në mitër është rrahja e zemrës së nënës ose ritmi i hapave të saj. Por mitra vepron si një filtër akustik: ndryshimet e tonit dhe nuancat melodike arrijnë të zbehura dhe të paqarta”, shton ajo.
Ritmi, ky çekiç i jetës, na mëson të masim kohën shumë përpara se të shohim dritën e botës. /skyweb.al
















