Aventura financiare me kredinë e marrë nga Delphos duket se i ka kushtuar shtrenjtë biznesmenit kosovar Behgjet Pacolli. Gjykata e Apelit të Tiranës i ka dhënë një goditje të fortë Pacollit, teksa e ka përjashtuar nga administrimi i Aeroportit deri në gjykimin në themel të konfliktit mes tij dhe Valon Ademit.
Me vendimin e marrë këtë të enjte, Apeli ka konfirmuar masën e Gjykatës së Shkallës së Parë që kishte përjashtuar kompaninë Mabco nga e drejta e votës dhe administrimit në shoqërinë koncesionare Vlora International Airport duke e lënë administrimin e aeroportit në dorën e Valon Ademit.
Konflikti mes dy aksionarëve të Aeroportit të Vlorës shpërtheu publikisht, verën e vitit të kaluar dhe në themel të tij ishte përplasja për aksionet e aeroportit. Por më vonë u bë publik dhe një tjetër zhvillim i bujshëm.
Mabco S.A, kompania e Pacollit kishte marrë një kredi 100 milionë euro nga një fond investimesh guackë në Luksemburg, i quajtur Delphos Compartment Bernina. Por kredia kishe një kleçkë, pasi ajo detyronte futjen e Aeroportit të Vlorës si huamarrës shtesë. Praktikisht përmes kësaj kredie, fluksi i të ardhurave nga Aeroporti i Vlorës lihej peng i fondit të Investimeve. Aksioneri tjetër i Aeroportit, biznesmeni Valon Ademi, akuzoi Pacollin se e kishte bërë gjithçka në fshehtësi dhe kjo ishte në kundërshtim të hapur me ligjin.
Për këtë qëllim, Ademi ju drejtua Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë duke kërkuar përjashtimin e Pacollit nga vendimarrja në shoqëri dhe pezullimin e votës derisa çështja të shqyrtohet në themel. Gjykata e Shkallës së Parë vendosi të pranojë padinë. Pas kësaj Pacolli nisi një sulm publik duke deklaruar se po i merrej kompania pavarësisht se ai kishte 98 për qind të aksioneve.
Shpresa e Mabco-s ishte që vendimi të kthehej në Apel, por edhe gjykata e Apelit e ka lënë në fuqi masën deri sa të shqyrtohet në themel çështja për aksionet mes dy aksionerëve. Përmes këtij vendimi, Apeli ka vërtetuar dyshimet dhe ka bllokuar mundësinë që Aeroporti i Vlorës të bëhej pjesë e kredisë së Delphos, i cili akuzohet për lidhje ruse nga Valon Ademi.
Përplasja
Në thelb të përplasjes qëndron kontrolli mbi koncesionarin VIA, e krijuar për zbatimin e kontratës së koncesionit me ministrinë e Infrastrukturës, për ndërtimin dhe operimin e aeroportit të Vlorës.
Konflikti për kontrollin e koncesionarit VIA ka kaluar prej muajsh në procese të njëpasnjëshme sigurimi padie.
Kompania “2A Group” pretendon se në prill 2025 ka blerë rreth 47% të kuotave të ortakut shumicë Mabco, mbi bazën e një kontrate shitblerjeje aksionesh.
Por, Mabco e kundërshton vlefshmërinë e kësaj kontrate dhe pretendon se transferimi nuk mund të prodhojë pasoja juridike pa miratimin e kontraktorit, në këtë rast ministrisë së Infrastrukturës. Tashmë Gjykata ka vendosur përjashtimin e Mabcos, derisa ccështja e aksioneve të gjykohet në themel./Kapitali
















