Nga Ylli Manjani
Frika ruan vreshtin, por nuk ndryshon pushtetin.
******
Teoria që “Rama është frikacak” dhe se merr vendime se nga “frika dhe presioni”, u bë bozë.
Booozë meli!
Urdhnoni, zotëri!
Bozë meliiiiii..!
Sipas kësaj teorie Rama ka frikë nga ndërkombëtarët ose nga SPAK. Nganjëherë ka edhe frikë nga të vetët që e sabotojnë nga brenda… Qëllon madje të ketë frikë edhe nga protestat e opozitës…
Me pak fjalë teoria “Rama frikacak” zhvillohet në forma dhe kombinime nga më të ndryshmet.
Ndërkohë, ky Ramë “frikacaku” ka që në vitin 1999 që dominon zyrtarisht në jetën politike në vend. Që atë vit i ka hipur zyrtarisht makinës së pushtetit dhe nuk di të zbresë, përtej uljengritjeve në hierakinë e posteve publike që ka mbajtur.
Ja ashtu si “frikacak” është në majë të kalit, pa asnjë gjëmb në këmbë. Rama paska “frikë” nga çdo gjë e nga shumëkush, por vetëm të zbresë nga kali nuk mjaftoka frika. Madje për disa jeton në pushtet “kartoni”….
Boozë meliiii!
Urdhnoni, zotni…!
Ndërkohë që teoria e “Ramës frikacak”, me të cilën teoricenët ngushëllojnë arsyetimin e tyre në analizën publike, bëhet gjithnjë e më shumë e pakuptimtë dhe pa llogjikë.
Se llogjika e do që një frikacak dhe i shantazhueshëm nga të huajt apo drejtësia duhet të ishte larguar e jo të mbretëronte në pushtet, apo jo?! Aq më tepër në një “pushtet kartoni” apo si “tigër prej letre”…
Më falni po kjo është të mos njohësh realitetin politik ose efektin e teorisë së frikës.
Padyshim nuk përjashtohet ideja që edhe Rama si çdo qenie njerëzore në botë ka frikërat e tij. Por si politikan, frika do ta kishte larguar nga pushteti i pandërprerë tashmë 26 vjeçar, 13 prej të cilave Kryeministër.
Pra o është frika dominate dhe politikani largohet nga politika prej saj, ose për sa kohë që rri suksseshëm në politikë frika nuk qenka faktor.
Varianti që Ai ka frikë, ndërkohë që vazhdon të dominojë në jetën politike suksesshëm e bën teorinë e frikës qesharake.
Dhe në fakt ashtu del.
Ka frikë BE, ndërkohë me udhëheqësit e BE i ha e pi rregullisht.
Ka frikë nga Amerika, ndërkohë ka takuar përzemërsosht të gjithë presidentët e saj të gjitjë këtyre viteve. Pa llogaritur këtu zyrtarë të lartë të panumërt që njeh e bisedon me ta.
Ka frikë nga drejtësia e re që ka krijuar vetë, është edhe më qesharake si tezë.
Ka frikë nga zgjedhjet dhe, vetëm i fiton ato thellë e më thellë, nga zgjedhjet në zgjedhje. Nga frika e zgjedhjeve mbetet ende politikani më i votuar në vend. Mund të debatojmë mbi faktin është apo jo me votën absolute, por që është më i votuari këtë se mohon dot asnjë teori apo armiqësi.
Pra, dakord ka frikë, por kjo “frika” që e mbaka në pushtet është gjë e mirë apo e keqe?
Ja këtë s’e kuptoj dot nga teoria e artikuluar e frikës…!
Nejse, po ideja që Rama ka frikë, është e ngjashme me shpresën e kotë të kahershme tonën se “do zbarkojnë aleatët”. Ndërkohë që prisnim zbarkimin hanim dru nga “frikacaku” i kohës…
Teoria se udhëheqësit e suksesshëm janë frikacakë, është në favorin e tyre. Se i bie që ata skanë faj që janë aty ku janë e bëjnë ato që bëjnë se fajin e paska “frika”…
















