Kryeministri Rama ka bërë ndryshime të mëdha në qeveri duke hequr nga kabineti emra me peshë elektorale, të cilët janë zëvendësuar nga personazhe të panjohur, gjë e cila bëri që disa ta konsideronin këtë kabinet si “qeveria teknike” e kërkuar prej muajsh nga opozita.
Rama zëvendësoi ministrat me arsyetime publike dhe shkaqe të pathëna të ndryshme nga pas, ndërkohë që bie në sy heqja nga detyra e Pirro Vengut.
Ky i fundit ka qenë një ndër personazhet më të preferuar të Ramës, ashtu siç e ka ai, që fiksohet herë pas here me riorë që i ka pranë, të cilët më pas i ngre deri në apogje dhe më pas i përplas fort në tokë sikur për të thënë që “pushteti i vërtetë jam unë në këtë vend”.
Siç mëson skyweb.al, Rama ka pasur një shkak të ndryshëm për shkarkimin e Pirro Vengut, për të cilin e kishte “ndarë mendjen” disa muaj më parë, pasi ish-ministri i Mbrojtjes kishte refuzuar të firmoste një marrëveshje armësh, gjë e cila ai mendonte se do ta ekspozonte rrezikshëm atë si politikan përballë NATO-s, krahas problemeve ligjore që dyshohet se ka kjo marrëveshje, të cilën Rama e kërkonte me ngulm.
Skyweb.al mësoi nga burime pranë kupolës së lartë të PS se irritimi i Ramës me Vengun nisi në verën e vitit 2025, kur atij i është dërguar në zyrë një marrëveshje armësh, të cilën i është kërkuar ta firmosë pa vonesa, por gjatë konsultimit të të dhënave dhe kontakteve me aleatët e NATO-s, Vengu është këshilluar të mos e vendosë firmën mbi atë dokument pasi kështu do të ekspozohej rrezikshëm përballë vendeve aleate, ndryshe nga sa këmbëngulte kryeministri.
“Shumëkush mban mend lajmet që qarkulluan gjatë verës se Rama do ta shkarkonte Vengun gjatë verës, ishte pikërisht momenti i përplasjes së tij me ministrin”, tha një tjetër burim për skyweb.al.
Me vendosjen e Ermal Nufit në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, një personazh që ka shërbyer pranë zyrës së tij, Rama synon të mbarojë punë me këtë marrëveshje, të cilën Vengu ia bllokoi për disa muaj duke ruajtur në radhë të parë veten e tij. /skyweb.al














