Qeveria ka miratuar krijimin e një regjistri elektronik për personat që u ndalohet hyrja në kazino dhe lojëra të tjera fati, një masë që synon të mbrojë individët që përballen me varësi nga bixhozi dhe të forcojë kontrollin mbi industrinë. Regjistri do të jetë funksional online dhe i aksesueshëm vetëm nga institucionet dhe operatorët e licencuar dhe do të administrohet nga Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, i cili do të ketë përgjegjësinë për shqyrtimin dhe miratimin e kërkesave.
Të dhënat nuk do të jenë publike, por do të përdoren ekskluzivisht nga subjektet e licencuara për të verifikuar nëse një person është i ndaluar të hyjë në kazino, të luajë lloto apo të aksesojë platforma online të lojërave të fatit.
Sipas vendimit, çdo qytetar që dëshiron të vetëpërjashtohet nga lojërat e fatit mund të paraqesë kërkesë në mënyrë elektronike përmes portalit qeveritar e-Albania. Kërkesa mund të depozitohet edhe nga familjarë të personit, në rastet kur vlerësohet se ai përbën rrezik për veten apo për ekonominë familjare për shkak të varësisë. Autoriteti përkatës ka afate të përcaktuara për shqyrtimin e aplikimeve, duke synuar reagim të shpejtë dhe procedura të qarta verifikimi.
Kjo nismë vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të mbrojtjes sociale dhe përgjegjshmërisë në sektorin e lojërave të fatit, duke krijuar një mekanizëm konkret për të parandaluar përfshirjen e personave vulnerabël në aktivitete që mund të dëmtojnë stabilitetin e tyre financiar dhe jetën familjare.
















