Të dhënat më të fundit të Bankës së Shqipërisë nga Vrojtimit i Biznesit dhe Konsumatorit tregojnë një rënie të fortë të besimit në sektorin e ndërtimit, duke sinjalizuar për ngadalësim të aktivitetit gjatë këtij viti.
Në muajin shkurt, treguesi i besimit në ndërtim ra me 6.5 pikë përqindje, një nga lëvizjet më të theksuara mujore të këtij sektori.

Megjithëse niveli i treguesit mbetet ende rreth 12 pikë përqindje mbi mesataren afatgjatë, dinamika e rënies tregon një përkeqësim të perceptimit të bizneseve për situatën aktuale dhe porositë në vazhdim.
Sipas vlerësimeve, ndikimi kryesor në rënie ka ardhur nga dobësimi i aktivitetit ndërtues dhe pritjet më të rezervuara për kontratat aktuale.

Në kontrast, treguesi i ndjesisë ekonomike në tërësi u ul me 2.5 pikë në shkurt, ndërsa besimi në industri shënoi rritje, çka e bën edhe më të dukshme dobësimin relativ të ndërtimit brenda strukturës së ekonomisë.
Ndërkohë, besimi i konsumatorëve mbeti pothuajse i pandryshuar, duke treguar se sinjalet negative janë më të përqendruara në sektorin e investimeve.
Ecuria e muajve të fundit sugjeron se ndërtimi mund të hyjë në një fazë më të moderuar gjatë vitit, sidomos nëse ritmi i porosive dhe aktivitetit vijon të zbutet.
Duke qenë një nga sektorët kryesorë që ka mbështetur rritjen ekonomike në vitet e fundit, çdo ngadalësim i tij pritet të ketë ndikim më të gjerë në ritmin e përgjithshëm të ekonomisë. /skyweb.al















