Një studim i publikuar në revistën shkencore Proceedings of the National Academy of Sciences tregon se njerëzit që na vështirësojnë jetën mund të ndikojnë në përshpejtimin e plakjes biologjike.
Sipas studimit, personat që kanë më shumë individë “bezdisës” në jetën e tyre, njerëz që krijojnë probleme apo e bëjnë jetën më të vështirë shfaqin një moshë biologjike më të lartë krahasuar me moshën e tyre kronologjike.
Autorët theksojnë se këto marrëdhënie negative shoqërore mund të përbëjnë një faktor rreziku biologjik që shpesh anashkalohet, por që mund të ketë pasoja për shëndetin. Studimi mori në konsideratë edhe faktorë të tjerë si profesioni, përvojat negative në fëmijëri dhe pirja e duhanit, por ndikimi i lidhjeve negative sociale mbeti i rëndësishëm.
Sipas gjetjeve, çdo person problematik shtesë në jetën e dikujt lidhet me rreth 1.5% plakje biologjike më të shpejtë, që përkthehet në rreth nëntë muaj më shumë moshë biologjike mes njerëzve me të njëjtën moshë kronologjike.
Studiuesit theksojnë se marrëdhëniet negative shoqërore mund të funksionojnë si stresorë kronikë dhe të lidhen me pasoja të tjera për shëndetin, përfshirë depresionin, ankthin dhe indeks më të lartë të masës trupore. Megjithatë, ata sqarojnë se gjetjet nuk provojnë drejtpërdrejt një lidhje shkak-pasojë mes këtyre marrëdhënieve dhe procesit të plakjes. /skyweb.al
















