Dy vite pas miratimit të ligjit për bastet, aktiviteti mbetet ende i bllokuar nga mungesa e akteve nënligjore. Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi pas mbledhjes së qeverisë se është miratuar një akt i ri dhe se qeveria po punon për plotësimin e të gjithë kuadrit të nevojshëm për të mundësuar funksionimin e basteve online.
Sipas Malajt, përgatitja e akteve kërkon kohë pasi po mbështetet edhe në ekspertizë ndërkombëtare, në mënyrë që sistemi i basteve të ndërtohet sipas standardeve ndërkombëtare.
Megjithatë, procesi ka mbetur i zvarritur prej vitesh. Edhe pse ligji u miratua në Parlament, aktet nënligjore që duhet ta bënin të zbatueshëm nuk janë nxjerrë ende, duke bllokuar formalizimin e tregut.
Ndërkohë, bastet online vazhdojnë të funksionojnë në mënyrë masive në Shqipëri, por jashtë çdo kontrolli ligjor. Kjo situatë po krijon pasoja të shumta si për qytetarët, ashtu edhe për të ardhurat e buxhetit të shtetit.
Të dhënat zyrtare tregojnë se rreth 1400 persona janë proceduar nga policia në dy vitet e fundit për aktivitete të lidhura me bastet e paligjshme, ndërsa më shumë se gjysma e tyre kanë përfunduar në arrest me burg që nga shkurti i vitit 2024, kur ligji u miratua në Kuvend.
Paradoksi qëndron në faktin se ndërkohë që arrestimet vazhdojnë, tregu ligjor i basteve mbetet ende i pamundur për t’u hapur për shkak të vonesës në miratimin e akteve nënligjore, një proces që sipas qeverisë kërkon ekspertizë ndërkombëtare për t’u përfunduar. /skyweb.al















