Kuvendi i Shqipërisë ka rrëzuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku dhe autorizimin e arrestimit të saj.
Në votimin e zhvilluar në seancën plenare të së enjtes, 82 deputetë votuan kundër kërkesës së SPAK, ndërsa 47 votuan pro.
Gjatë debatit në Kuvend, mazhoranca dhe opozita paraqitën raportet e tyre lidhur me çështjen e deputetes Balluku.
Relatori i mazhorancës, Ulsi Manja, argumentoi se shumica parlamentare është kundër kërkesës së SPAK, pasi sipas tij deputetja nuk ka shkelur masën e mëparshme të sigurisë dhe akuza ndaj saj mbetet e njëjtë, ajo e “shkeljes së barazisë në tendera apo ankande publike”.
“Kërkohet arrest me burg ndaj një anëtareje të këtij Parlamenti që po hetohet për shkelje të barazisë në tendera apo ankande publike dhe jo për korrupsion. Kuvendi nuk ka kompetencë të shpallë fajësinë apo pafajësinë e saj, por shërben si filtër institucional”, deklaroi Manja gjatë prezantimit të raportit.
Sipas tij, më 16 dhjetor SPAK paraqiti në Kuvend kërkesën për autorizimin e heqjes së lirisë së deputetes, por kjo kërkesë lidhet me zëvendësimin e një mase sigurie të vendosur më parë dhe jo me vendosjen e një mase fillestare.
Deputetja Balluku aktualisht është nën masën e sigurisë “ndalim i daljes jashtë shtetit”, një masë që sipas raportit të mazhorancës është respektuar në mënyrë rigoroze prej saj.
“Sot kërkohet zëvendësimi i kësaj mase me arrest në burg ose arrest shtëpie me pretendimin se janë rënduar nevojat e masës së sigurimit. Nuk jemi në kushtet kur masa e parë është shkelur, por kur pretendohet se kanë ndryshuar rrethanat”, u shpreh Manja.
Ai theksoi se një kërkesë për zëvendësim mase duhet të shoqërohet me rrethana të reja dhe prova të reja, ndërsa sipas mazhorancës nga shqyrtimi i materialeve rezulton se akuza ndaj deputetes Balluku nuk ka ndryshuar.
Manja shtoi se raporti i mazhorancës është hartuar duke u bazuar në Kushtetutën, Kodin e Procedurës Penale dhe standardet ndërkombëtare, përfshirë edhe rekomandimet e Komisionit të Venecias.
“Sipas Kodit të Procedurës Penale, zëvendësimi i masës kërkon rrethana të reja, prova të reja ose konstatimin e shkeljes së masës së vendosur më parë”, deklaroi ai.
Vendimi për rrëzimin e kërkesës së SPAK ishte bërë i ditur edhe më herët gjatë kësaj jave, pasi grupi parlamentar socialist kishte njoftuar se do të votonte kundër autorizimit për arrestimin e deputetes Balluku. /skyweb.al















