Shoferë nga Gjermania po kalojnë kufirin drejt qyteteve polake për të furnizuar makinat e tyre me karburant më të lirë, mes rritjes së çmimeve që lidhet me tensionet dhe luftën me Iranin pas sulmeve amerikane dhe izraelite. Lajmi u raportua sot nga transmetuesi TVP World.
Sipas raportimeve, disa qytete kufitare në Poloni po përballen me mungesa karburanti dhe radhë të gjata në pikat e furnizimit për shkak të fenomenit të quajtur “turizëm karburanti”. Mijëra shoferë gjermanë po kalojnë kufirin për të përfituar nga çmimet më të ulëta dhe për të mbushur rezervuarët e automjeteve të tyre.
Në qytetin veriperëndimor Swinoujscie, disa stacione karburanti mbetën pa naftë gjatë fundjavës. Si pasojë, kryetarja e bashkisë, Joanna Agatowska, u bëri thirrje pikave të karburantit të monitorojnë dhe kufizojnë shitjet për shoferët gjermanë, duke kërkuar gjithashtu që çdo person të lejohet të marrë vetëm një bidon karburanti përtej kufirit.
Prania e madhe e shoferëve gjermanë ka shkaktuar gjithashtu radhë të gjata dhe trafik të rënduar në disa fshatra dhe zona të tjera pranë kufirit.
Që nga fillimi i sulmeve të përbashkëta të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit më 28 shkurt, konflikti ka shkaktuar luhatje dhe pasiguri në tregjet globale të energjisë. Sulmet ndaj infrastrukturës detare dhe tokësore të naftës kanë ngritur shqetësime serioze për sigurinë e furnizimit me energji në nivel global.
















