Gjigantët e rrjeteve sociale kanë marrë vendime që kanë lejuar përhapjen e më shumë përmbajtjeve të dëmshme në feed-et e përdoruesve, pasi kërkimet e brendshme treguan se zemërimi dhe polemikat rrisnin angazhimin. Këtë e kanë deklaruar disa sinjalizues (whistleblowers) dhe ish-punonjës për BBC.
Shume burime nga brenda kompanive tregojnë se platformat kanë marrë rreziqe me sigurinë e përdoruesve për çështje që lidhen me dhunën, shantazhin seksual dhe terrorizmin, në përpjekje për të mbajtur vëmendjen e publikut. Një inxhinier i Meta tha se drejtuesit i kishin kërkuar të lejonte më shumë përmbajtje “në kufi të dëmshme”, si misogjini apo teori konspirative, për të konkurruar me TikTok, sidomos pasi rënia e çmimit të aksioneve rritej presioni për më shumë angazhim.
Një punonjës i TikTok i dha BBC-së akses në disa të dhëna të brendshme që tregojnë ankesat e përdoruesve. Sipas tij, në disa raste kompania i ka dhënë përparësi çështjeve që përfshinin politikanë, duke i trajtuar më shpejt se raportimet për përmbajtje të dëmshme që lidhen me fëmijë apo adoleshentë. Qëllimi, sipas tij, ishte ruajtja e marrëdhënieve të mira me politikanët për të shmangur rregullime apo ndalime të mundshme.
Një ish-studiues i Meta-s, Matt Motyl, tha se funksioni Instagram Reels, i krijuar për të konkurruar me TikTok, u lançua pa masa të mjaftueshme sigurie. Sipas kërkimeve të brendshme, në Reels kishte më shumë raste bullizmi, gjuhë urrejtjeje dhe përmbajtje të dhunshme krahasuar me pjesë të tjera të Instagramit.
Inxhinierë që kanë punuar në algoritmet e TikTok thonë se këto sisteme janë shumë të vështira për t’u kontrolluar plotësisht dhe shpesh trajtojnë përmbajtjen vetëm si “të dhëna”, pa analizuar vetë mesazhin. Ndërkohë, disa adoleshentë i thanë BBC-së se edhe kur përpiqen të shmangin përmbajtjen problematike, algoritmet vazhdojnë t’ua rekomandojnë.
Kompanitë i kanë mohuar akuzat. Meta deklaroi se nuk amplifikon qëllimisht përmbajtje të dëmshme për përfitime financiare, ndërsa TikTok tha se pretendimet janë të pasakta dhe se platforma investon vazhdimisht në teknologji dhe masa sigurie për të mbrojtur përdoruesit, veçanërisht të rinjtë. /skyweb.al
















