Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur ankandin për shitjen e fletëve të votimit dhe zarfeve të përdorura në proceset zgjedhore, duke i nxjerrë ato në treg si material për riciklim.
Skyweb.al mëson se bëhet fjalë për një sasi totale prej 67,682 kilogramësh letër, që përfshin fletë votimi dhe zarfa të përdorur, përfshirë edhe zarfat e votimit të emigrantëve jashtë territorit të Shqipërisë.
Ankandi do të zhvillohet më 7 prill 2026 në ambientet e KQZ-së, ndërsa vlera fillestare e materialit është përcaktuar në 372,251 lekë pa TVSH.

Siç mëson skyweb.al, pjesën më të madhe e zënë fletët e votimit për Kuvendin me mbi 60 mijë kilogramë, ndërsa pjesë e shitjes janë edhe mbi 5 mijë kilogramë zarfa të përdorur për votimin nga jashtë vendit, si dhe materiale të tjera zgjedhore nga procese të mëparshme.
KQZ sqaron se këto materiale janë nxjerrë jashtë funksionit zgjedhor dhe do të destinohen për riciklim, duke parashikuar asgjësimin e plotë të çdo të dhëne, në përputhje me Kodin Zgjedhor dhe aktet përkatëse.
Procedura është shpallur si ankand i hapur, ku subjektet e interesuara mund të paraqesin ofertat e tyre deri në momentin e zhvillimit të ankandit.
Vendimi për nxjerrjen në shitje të materialeve zgjedhore vjen pas përfundimit të proceseve zgjedhore dhe sipas praktikës së parashikuar në legjislacion, që parashikon asgjësimin ose riciklimin e tyre pas përdorimit. /skyweb.al















