SPAK po thellon hetimet për skandalin me fondet e IPARD, ndërsa ish ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca, është marrë në pyetje për disa orë nga Prokuroria e Posaçme.
Krifca ka dhënë dëshmi në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e çështjes, në kuadër të dosjes që po hetohet nga prokurori Klodian Braho për abuzimet e dyshuara me fondet e programit IPARD.
Më herët, në SPAK u paraqit edhe Reni Ashiku, i konsideruar si një nga bashkëpunëtorët më të afërt të ish ministres Krifca, për t’u marrë gjithashtu në pyetje.
NDRYSHIMI/ Neni IPARD, si po tentohet shpëtimi i Frida Krifcës dhe sponsorit të saj oligark
Ndërkohë, paralelisht me hetimin penal, Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) ka nisur procedurat për rikuperimin e fondeve, duke u kërkuar kompanive që dyshohet se kanë abuzuar me skemat e IPARD kthimin mbrapsht të shumave të përfituara.
Dosja për fondet IPARD mbetet një nga çështjet më të ndjeshme që po hetohen aktualisht, ndërsa veprimet e fundit tregojnë se procesi ka hyrë në një fazë konkrete, si në aspektin penal ashtu edhe në atë administrativ për rikthimin e parave. /skyweb.al















