Këtë të hënë, ka hyrë në fuqi Bordi i Transparencës për çmimet e hidrokarbureve në Shqipëri. Ky mekanizëm synon të monitorojë kostot e tregtarëve, të vendosë dhe të mbajë nën kontroll çmimet, si dhe të parandalojë abuzimet në treg.
Kryeministri Edi Rama deklaroi më 21 mars se bordi do të mbikëqyrë gjithë zinxhirin, nga garantimi i rezervës shtetërore deri te furnizimi i tregut, për të shmangur çdo spekulim me çmimet.
Sipas vendimit, subjektet që nuk zbatojnë çmimet e përcaktuara do të humbasin të drejtën e tregtimit dhe do t’u konfiskohet malli.
Ndërkohë, është miratuar edhe ulja me 20% e akcizës së karburanteve. Mekanizmi i ri parashikon një marzh prej 3 lekësh për litër për shumicën dhe 12 lekë për litër për pakicën, me synimin për të garantuar çmime të kontrolluara dhe mbrojtjen e konsumatorëve.
Gjatë kësaj jave pritet që bordi të mblidhet për të përcaktuar çmimet tavan të karburanteve./skyweb.al
















